zoom

Lajme

Komisioni Europian thyen heshtjen për Zvërnecin: Kemi shqetësime të mëdha, hetimet e SPAK-ut shkojnë përtej mjedisit

Komisioni Europian thyen heshtjen për Zvërnecin: Kemi shqetësime të mëdha, hetimet e SPAK-ut shkojnë përtej mjedisit

Bashkimi Europian ka thyer heshtjen lidhur me projektin e resortit luksoz në Zvërnec, të lidhur me Jared Kushner, Ivanka Trump dhe vëllezërit sirianë me pasaportë të Katarit, Al-Khayyat.

Përmes një deklarate për rrjetin mediatik ndërkombëtar CNN, një zëdhënës i Komisionit Europian ka lëshuar një alarm të kuq, duke pranuar se problemet në Zvërnec tashmë i kanë kaluar kufijtë e ekologjisë.

“Zëdhënësi i Komisionit Europian tha për CNN se ministria e mjedisit e Shqipërisë ishte ‘zotuar se punimet e ndërtimit janë pezulluar’. Zëdhënësi vuri gjithashtu në dukje se hetimet antikorrupsion të SPAK-ut ‘sipas raportimeve, shtrihen përtej shqetësimeve mjedisore’” -raporton CNN. 

Pranimi nga ana e Komisionit Europian se hetimet e SPAK-ut po gërmojnë “përtej mjedisit” tregon se zyrtarët e BE-së janë në dijeni të plotë të dosjeve të nxehta të falsifikimit të pronave, tjetërsimit të trojeve dhe përfshirjes së personazheve të skeduar të botës së krimit në këtë projekt. Një prej personazheve të përfolur është Artur Shehu, i cili ka deklaruar se ka mbi 250 hektarë tokë me dokumente në atë zonë dhe se pret që t’i kthehen edhe mbi 200 hektarë të tjera. Por një grup banorësh të Zvërnecit kanë deklaruar se pronat janë të tyre dhe se u janë marrë nëpërmjet falsifikimeve dhe procedurave të tjera. 

Deri më tani, ambasadat dhe zyrat e BE-së kanë zgjedhur të mos i komentojnë protestat që kanë shpërthyer prej më shumë se 1 jave kundër projektit. Por përmes një zëdhënësi, Brukseli është pozicionuar hapur kundër ndërtimit në Zvërnec. 

“Ne i kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ministrit të mjedisit lidhur me mangësitë potenciale të këtij projekti,” ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Europian për CNN.

BE-ja ka goditur hapur edhe njërën nga shtyllat më të debatuara të qeverisjes Rama, ligjin për investimet strategjike, i cili sipas Brukselit po përdoret për të shkatërruar zonat e mbrojtura. “Shqetësimet tona nuk janë të reja… zgjatja e përsëritur nga ana e Shqipërisë e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime për ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura,” nënvizon zëdhënësi.

Siç kuptohet nga artikulli i CNN, Ministria shqiptare e Mjedisit i ka thënë rrjetit ndërkombëtar se punimet janë pezulluar. Por kryeministri Rama ka deklaruar vazhdimisht këto ditë se projekti nuk do të ndalet, pavarësisht nëse në shesh protestojnë 5 mijë apo 500 mijë qytetarë. Përballë presionit në rritje, Rama deklaroi se ai ka mbështetjen e 800 mijë njerëzve që votuan Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2025. 

Përtej mbrojtjes së flamingove dhe breshkave të detit, Brukseli po sheh te Zvërneci një provë zjarri për shtetin e së drejtës dhe pastrimin e parave në Shqipëri. Tashmë që skandali ka marrë përmasa globale projekti i Jared Kushner e ka tejkaluar debatin mjedisor dhe është shndërruar në një krizë të mirëfilltë politike, ku protestuesit, gjithnjë e më të shumtë në numër, po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. /Zoom.al

Postime të lidhura