zoom

Aktualitet

Protesta shtrihet edhe në diasporë, shqiptarët në Londër dhe Milano dalin në shesh

Protesta shtrihet edhe në diasporë, shqiptarët në Londër dhe Milano dalin në shesh

Protestat në Tiranë kanë frymëzuar edhe shqiptarët jashtë kufijve. Diaspora shqiptare prej disa ditësh kishte njoftuar se do të organizonte tubime, në mbështetje të protestës në Tiranë.

Këtë fundjavë, në shesh dolën shqiptarët e Londrës dhe ata që jetojnë në Milano.

Qindra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë mbledhur këtë të shtunë në Londër për të protestuar kundër projektit të parashikuar në zonën e Zvërnecit, duke shprehur gjithashtu pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë shqiptare.

Gjatë protestës u dëgjuan thirrje për anulimin e projektit, ndërsa një pjesë e protestuesve kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në pankartat e mbajtura nga demonstruesit binin në sy slogane si “Shqipëria nuk shitet”, si dhe mesazhe që kërkonin veprim nga organet e drejtësisë ndaj figurave politike kryesore në vend.

Tubimi në Londër u zhvillua pa incidente dhe u karakterizua nga pjesëmarrja e gjerë e anëtarëve të diasporës shqiptare, të cilët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me zhvillimet në vend.

Organizim pati edhe në Milano. Dhjetëra shqiptarë dolën sot në sheshin kryesor të Milanos për të thënë se Shqipëria nuk shitet dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit. Po sot, është parashikuar një tubim edhe në Firenze, Vlorë, Londër, Washington, Neë York, Vienë, Romë, Toronto, Athinë, Frankfurt.

Ndërsa në Shqipëri, protesta është njoftuar në orën 18:00, në Tiranë, Vlorë dhe Shkodër./ Zoom.al

Postime të lidhura