zoom

Aktualitet

Dita e gjashtë e protestës/ Qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë

Dita e gjashtë e protestës/ Qytetarët mblidhen sërish para Kryeministrisë

Në ditën e gjashtë të protestave kundër projektit në Zvërnec, qytetarët janë mbledhur sërish para Kryeministrisë në Tiranë, duke vijuar kundërshtimin e tyre ndaj investimit të planifikuar në zonë dhe duke përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.

Protestuesit kanë mbërritur para godinës së qeverisë pas marshimit nga sheshi “Skënderbej”, duke kërkuar anulimin e projektit të resortit dhe ndryshimeve ligjore që lidhen me zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në fjalimet e tyre, disa prej pjesëmarrësve kanë theksuar se protesta nuk lidhet vetëm me Zvërnecin, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes.

Ata kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe kanë përsëritur pesë kërkesat kryesore, të cilat lidhen me:

  • statusin e investitorëve strategjikë
  • paketën e maleve
  • ligjin për zonat e mbrojtura
  • ligjin për trashëgiminë kulturore
  • dhe largimin e qeverisë

Disa protestues kanë deklaruar gjithashtu se përpjekjet për t’i etiketuar si të ndikuar nga faktorë të jashtëm nuk qëndrojnë, duke theksuar se në protestë marrin pjesë vetëm qytetarë shqiptarë.

Gjatë tubimit është njoftuar edhe vijimi i protestave në ditët në vijim, me grumbullime të reja të planifikuara në Vlorë dhe sërish në Tiranë.

Sipas organizatorëve, qëllimi i tyre është të vazhdojnë presionin publik deri në plotësimin e kërkesave të artikuluara./ Zoom.al

Postime të lidhura