Aplikacion
Prej gjashtë ditësh, qytetarët mblidhen çdo ditë dhe i shkojnë zyrës kryeministrit Edi Rama për t’i kërkuar dorëheqjen.
Por, sot gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Zvërnec, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka ndërmend të lëshojë karrigen.
Ai u shpreh se nuk e sheh veten në pozicion negocimi me askënd, duke theksuar se nuk ka arsye për të bërë marrëveshje të reja mbi çështjet e ngritura.
Sipas tij, dialogu mbetet gjithmonë i hapur, por vendimet nuk varen nga presioni apo protestat. Rama shtoi se ka qenë i qartë edhe më herët kur është pyetur për këto çështje dhe se nuk ndryshon qëndrim për shkak të kundërshtimeve publike.
Në një ton ironik, ai deklaroi se ata që kërkojnë largimin e tij politik “në fakt i shtojnë jetë”, duke nënkuptuar se kundërshtimi e forcon më shumë në vendimmarrje.
Kryeministri theksoi gjithashtu se nuk ndjen asnjë frikë përballë protestave apo kritikave dhe se është i gatshëm të përballet me çdo qytetar apo grup që ka shqetësime
“E thashë edhe atë ditë: ‘Kush do të flasë?’, thatë: ‘Jo ne nuk negociojmë’. Jam unë i pari që nuk negocioj, se s’kam çfarë të negocioj me askënd. Por për të folur nuk diskutohet. I thashë Brunës, mos më merr njerëz nga Vlora. S’kam frikë të përballem me asnjë njeri. Ata nuk më bëjnë të ndryshoj mendim dhe më shtojnë jetën. Këta që duhan të më heqin do të duhet të presin shumë më tepër”, tha Edi Rama.
Ndërkohë sot qytetarët janë organizuar sërish në protestë, duke nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” në orën 18.00. Ata janë shprehur të vendosur për të vazhduar me tubimet deri në largimin e Edi Ramës, ndërsa nesër pritet të ketë një protestë edhe në Zvërnec, kundër projektit të parashikuar atje./ Zoom.al