Aplikacion
Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të thumbues protestuesve në Tiranë, ndërsa ka mbërritur në Porto Montenegro, resortin që ka përmendur disa herë në ditët e fundit.
Edhe më herët, kryeministri e ka pohuar publikisht se në vitin 2006 ka ardhur në Shqipëri miliarderi famëmadh kanadez Peter Munk, me idenë e ndërtimit të një marine në Durrës, pikërisht aty ku ndërton sot Muhamed Alabar, por është përzënë.
Edi Rama tregon se ndodhet në Porto Montenegro me një nga pasuesit e familjes Munk, i cili shpjegon investimin miliarda dollarë dhe transformimin që Porto Montenegro i ka sjellë Malit të zi.
Përmes kësaj shfaqje live në një kohë që protestuesit nën zyrën e tij protestojnë kundër projektit amerikan për Zvërnecin, Edi Rama u dërgon një mesazh të prerë të gjithë qytetarëve, se projekti që synon ta ngjisë Shqipërinë në krye të listës së turizmit, nuk ka shance të ndalet.
“O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti.
Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, shkruan kryeministri Edi Rama dhe ndan bashkëbisedimin me një nga drejtuesit e Porto Montenegro.