zoom

Aktualitet

Nga Suedia në Tiranë për Zvërnecin, pedagogia shqiptare: Koha të bashkohemi

Nga Suedia në Tiranë për Zvërnecin, pedagogia shqiptare: Koha të bashkohemi

Protesta kundër projektit të resortit në Zvërnec ka tërhequr jo vetëm qytetarë nga brenda vendit, por edhe shqiptarë që jetojnë prej vitesh jashtë kufijve.

Në tubimin e zhvilluar në Tiranë u bashkua edhe Sindi Sheri, pedagoge shqiptare e vendosur në Suedi, e cila tha se udhëtoi drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar lëvizjes në mbrojtje të zonës së mbrojtur të Zvërnecit.

Duke folur para protestuesve, ajo shprehu zhgënjimin e saj për situatën në vend dhe theksoi se çështja e Zvërnecit duhet të shërbejë si një pikë bashkimi për shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.

Sheri deklaroi se ndonëse prej vitesh jeton dhe punon në Suedi, ndihet e lidhur me zhvillimet në Shqipëri dhe e shqetësuar për atë që po ndodh me pasuritë natyrore të vendit. Ajo tha se ka ardhur me urgjencë për të mbështetur protestën dhe për të kërkuar mbrojtjen e territorit.

Në mesazhin e saj, pedagogia iu drejtua edhe diasporës shqiptare, duke i ftuar bashkatdhetarët që jetojnë jashtë të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve në Shqipëri.

“Kam ardhur për të mbrojtur trojet tona. Është koha që shqiptarët të bëhen bashkë. I bëj thirrje diasporës të mos heshtë dhe të kontribuojë për vendin e saj. Ky është një moment që kërkon bashkim kombëtar”, u shpreh ajo.

Protesta për Zvërnecin ka hyrë në ditën e pestë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të kundërshtojnë projektin e resortit që pritet të ndërtohet në zonën e mbrojtur të Nartës dhe Zvërnecit.

Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, duke kërkuar anulimin e projektit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Postime të lidhura