zoom

Aktualitet

Dita e pestë e protestës për Zvërnecin, qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”, marshim drejt Kryeministrisë

Dita e pestë e protestës për Zvërnecin, qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”, marshim drejt Kryeministrisë

Qytetarët u rikthyen sot sërish në shesh, në ditën e pestë të protestës kundër projektit në zonën e Zvërnecit.

Qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë.

Pjesëmarrësit janë me flamuj dhe pankarta në duar, duke e cilësuar protestën si një reagim qytetar paqësor ndaj asaj që e konsiderojnë ndërhyrje të dëmshme në zonat e mbrojtura dhe hapësirat publike.

Gjatë grumbullimit në shesh është dëgjuar edhe mesazhi i organizatorëve se protesta është e hapur për të gjithë qytetarët, përfshirë ata që ndihen të zhgënjyer nga partitë politike kryesore. “Mirëpresim të gjithë ata që janë braktisur nga PS dhe PD”, është shprehur një nga protestuesit.

Në mesin e protestuesve është parë edhe Engjëll Cani, babai i Martin Canit, i cili u vra me thikë nga një bashkëmoshatari i tij në shkollë. Engjëll Cani iu bashkua qytetarëve gjatë grumbullimit në shesh.

Një ditë më parë, protesta u karakterizua nga një pjesëmarrje më gjerë qytetarësh dhe përplasje me efektivët e policisë.

Ata u përpoqën të çajnë kordonin e policisë dhe më pas forcat e rendit hodhën ujë për t’i larguar. Por, përpjekja e policisë ishte e kotë dhe turma e protestuesve e çau kordonin, duke mbërritur në Kryeministri./ Zoom.al

Postime të lidhura