zoom

Aktualitet

“Sa fëmijë duhet të vdesin?”- Familja e Martin Canit shpërthen ndaj Ramës: Mos e përdor tragjedinë tonë

“Sa fëmijë duhet të vdesin?”- Familja e Martin Canit shpërthen ndaj Ramës: Mos e përdor tragjedinë tonë

Familja e Martin Canit ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama lidhur me vdekjen e të birit të tyre, të bërë gjatë prezantimit të projektit “Smart City”, ku u shpreh se nuk e ka harruar tragjedinë që i mori jetën adoleshentit dhe se projekti për sigurinë në shkolla është përgjigjja institucionale ndaj asaj ngjarjeje.

“Sot, të gjithë e kanë harruar vrasjen tragjike… Unë nuk e kam harruar, sepse e kujtoj përditë duke ndjekur pikërisht këtë projekt, që është përgjigjja ime dhe përgjigjja jonë ndaj asaj tragjedie”, deklaroi kryeministri.

Pas kësaj deklarate, familja e 14-vjeçarit Martin Cani publikoi një reagim të ashpër, ku shpreh “indinjatë të thellë” për mënyrën se si, sipas tyre, kryeministri vijon të përdorë emrin e djalit të tyre për qëllime politike dhe propagandistike, ndërsa shmang përgjegjësitë reale të institucioneve.

Sipas familjes, pavarësisht mbylljes së TikTok, rastet e vrasjeve të të miturve kanë vijuar, çka, sipas saj, tregon se problemi nuk lidhet me rrjetet sociale, por me dështimin e sistemit arsimor, mungesën e sigurisë në shkolla dhe përgjegjësinë institucionale.

Familja kundërshton edhe projektin për vendosjen e kamerave në shkolla, duke argumentuar se ato nuk parandalojnë dhunën, nuk zëvendësojnë psikologët, nuk zgjidhin mungesën e sigurisë dhe nuk do të shpëtojnë jetë pa masa reale.

Në reagim thuhet gjithashtu se, megjithëse kryeministri deklaron se mendon vazhdimisht për Martinin, ai nuk ka takuar asnjëherë familjen, nuk ka ofruar mbështetje institucionale dhe nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit.

Në deklaratë kritikohen gjithashtu organet ligjzbatuese për administrimin e provave dhe kërkohet përfundimi sa më i shpejtë i hetimeve për përgjegjësinë e shkollës “Fan Noli” dhe të sistemit shëndetësor.

Në fund, familja thekson se Martini “nuk ishte slogan politik, nuk ishte pretekst për censurë dhe nuk ishte justifikim për kamera”, por një fëmijë që meritonte të jetonte.

Deklarata e plotë:

Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.

Edhe sot, në fjalimin e tij publik, Kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.

  1. Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok

Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:

  • Një i mitur u vra në Maliq.
  • Një tjetër i mitur u vra në Durrës.

Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.

  1. Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin

Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”

Por kamerat:

  • nuk parandalojnë dhunën;
  • nuk zëvendësojnë psikologët;
  • nuk zgjidhin mungesën e sigurisë;
  • nuk e shpëtuan Martinin dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.

Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.

  1. Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë

Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:

  • Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
  • Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
  • Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?

Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.

  1. Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?

Martini vdiq sepse:

  • Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
  • Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.

Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.

Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?

  1. Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?

Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:

  • Ministrja Manastirliu qeshi;
  • Ministrja Balluku qeshi.

Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.

A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?

  1. Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm

Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:

  • Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
  • Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
  • Hetimi nuk do të ishte i cunguar.

Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.

  1. Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor

Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:

  • Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
  • Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.

18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.

Ne nuk do të heshtim

Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.

Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.

Ne kërkojmë:

  • Drejtësi për Martinin;
  • Siguri për fëmijët e Shqipërisë;
  • Përgjegjësi nga institucionet;
  • Veprime, jo fjalë.

Familja Cani
Tiranë, 17.07.2026

Postime të lidhura