Aplikacion
Detaje të reja kanë dalë nga të shtënat me armë zjarri që u regjistruan mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Mësohet se i plagosur ka mbetur 50-vjeçari Thimjo Rubati, i cili dyshohet se është qëlluar nga persona që lëviznin me motor.
50-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Po ashtu u raportua se atentati ka ndodhur vetëm pak metra larg vendit ku një natë më parë u dhunua oficeri i Policisë Mihal Velço. Ndërsa për këtë ngjarje atë ngjarje dyshohet se janë përfshirë djali i Thimjo Rubatit dhe dy persona të tjerë, të tre me precedentë penalë.
Thimjo Rubati nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare. Sipas të dhënave, në vitin 2022 u bë e ditur se ai ishte dënuar në vitin 2002 për trafikim të të miturve dhe përdhunim.
Po ashtu, Rubati rezulton i skeduar nga autoritetet edhe për armëmbajtje pa leje, kontrabandë dhe trafikim të mjeteve motorike.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka blinduar hyrjet dhe daljet e qytetit të Sarandës dhe po zhvillon kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të ngjarjes.