zoom

Aktualitet

Dënimi i Mario Përlleshajt me 16 vite burg, reagon familja e Martin Canit

Dënimi i Mario Përlleshajt me 16 vite burg, reagon familja e Martin Canit

Familja e Martin Canit ka reaguar pas vendimit të gjykatës që dënoi me 16 vite burg Mario Përlleshajn, autorin e ngjarjes ku humbi jetën djali i tyre.

Ata thonë se ky është rasti i parë ku kanë ndjerë se drejtësia ka folur qartë.

Në deklaratën e tyre, familjarët shprehen se edhe pse vendimi nuk mund ta rikthejë Martin Canin, ai i bëri të ndihen të respektuar dhe se dhimbja e tyre u mor seriozisht.

Sipas tyre, gjykata tregoi profesionalizëm duke mos ndjekur rekomandimin e Prokurorisë për ta konsideruar ngjarjen si një vepër të vetme penale, por duke e ndarë atë në dy vepra të ndryshme: vrasjen e Martinit dhe tentativën për vrasje ndaj Luisit./ Zoom.al

Deklarata e familjes:

Sot, pas një viti dhimbjeje që nuk përshkruhet me fjalë, ne — familja e Martin Canit — kemi parë për herë të parë një rreze të fortë drejtësie.

Gjykata vendosi të mos ndjekë rekomandimin e Prokurorisë, e cila e trajtoi ngjarjen si një vepër të vetme penale por e njohu qartë atë që ne e kemi thënë që në ditën e parë: janë DY vepra penale — vrasja e Martinit dhe tentativë vrasje ndaj Luisit.

Ky vendim është një akt kurajoz, profesional dhe i drejtë.

Është një vlerësim real i asaj që ndodhi: dy fëmijë të goditur me thikë, dy akte të veçanta dhune, dy qëllime kriminale të ndara.

I falenderojmë gjyqtarët për integritetin dhe ndershmërinë e tyre, që zgjodhën të shohin të vërtetën dhe jo rrugën më të lehtë procedurale.

Ky vendim nuk na e kthen dot Martinin, por na jep një ndjenjë të thellë se dhimbja jonë nuk u shpërfill dhe se jeta e tij u trajtua me peshën dhe dinjitetin që meriton.

Sot, Martini është më i gjallë se kurrë në ndërgjegjen e shoqërisë.

Ne do të vazhdojmë misionin tone me:

  • Muzeun “Martin Cani”, një vend i kujtesës dhe edukimit.
  • Filmin mbi jetën e tij, që do të mbajë gjallë ëndrrën e tij të futbollit dhe të ardhmes që nuk arriti ta jetojë.
  • Fondacionin Martin Cani, që do të luftojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla, që askush të mos përjetojë atë që kaluam ne.

Falënderojmë të gjithë qytetarët që kanë qëndruar pranë nesh.

Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.

Postime të lidhura