Aplikacion
Videoja e vrasjes tragjike të adoleshentit Martin Cani është hedhur në rrjet.
Gazetari Eraldo Harlicaj ka publikuar pamje të datës 18 nëntor 2024, ku duket që Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen e Canit mban në dorë një thikë.
Në një tjetër moment, pas goditjes, Martin Cani vërehet duke vrapuar dhe duke mbajtur dorën në zemër, pas goditjes me thikë nga Përlleshaj.
Ndërkohë, gazetari Harlicaj jep dhe informacione nga procesi hetimor i ngjarjes dhe këmbëguljet për hetim.
Pjesë nga shkrimi i gazetarit:
“Në pamjet filmike, duke ikur, shihet vetëm një thikë në dorën e Marios dhe Martini që vrapon duke mbajtur dorën në kraharor. Mario më pas kthehet te vendi i krimit, pasi i ka rënë këpuca dhe shkon ta rimarrë, pritet nga dy djem të tjerë që ndodhen aty.
Luisi, shoku i plagosur i Martinit, në seancën gjyqësore u ka treguar gjyqtarëve, por dhe prokurores Alma Felaj, plagët e tij. Ai i qëndron idesë se kanë qenë dy persona që kanë goditur me thikë, duke kërkuar rihetim.
Po ashtu, avokati i Marios, autorit të dyshuar, ka mbështetur deklaratën e Luisit, duke ngritur alibinë se nuk ka qenë ai personi që ka qëlluar Martinin. Ai pranon se ka përdorur thikën, por ka plagosur Luisin. Pra, Luisi dhe Mario, pretendojnë se ka qëlluar me thikë dhe një person i tretë. Pala e Marios pretendon se nuk është ai vrasësi.
Kush është personi i tretë që po mbahet i fshehur nga të gjithë? A ekziston vërtet një person i tretë që ka goditur? Si ka mundësi që dëshmitarët kanë ndryshuar deklarimet në gjyq ndryshe nga përgjigjet që i kanë dhënë prokurores dhe pasi janë rimarrë disa herë në pyetje nga ana e Alma Felajt? Kush është i rrituri që ka goditur me shpullë Martinin ditën e premte, në sherrin që ka pasur me Marion? Kush janë djemtë që kanë pritur Marion dhe shoku që e shoqëroi në spitalin privat, ku shihet me plagë në dorë.
Gjyqtarja Marinela Osmani vendosi rihetimin e ngjarjes, pas dokumentimeve të paplota nga Prokuroria. Deklaratat e dëshmitarëve i gjeti shumë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës.
Mario ende nuk ka dëshmuar. Ditën e mërkurë është seanca e radhës, ku është thirrur përpara gjykatës personi i rritur që ka goditur Martinin ditën e premte me shpullë. Ndërkohë që për përgjigjet e tjera nga sherri në shkollë, deri te arritja në spital, duhet të prisni Top Story – Top Channel e së mërkurës,”- shkruan gazetari Eraldo Harlicaj./ Zoom.al