zoom

Aktualitet

Qeveria heq bllokimin, TikTok rikthehet zyrtarisht në Shqipëri

Qeveria heq bllokimin, TikTok rikthehet zyrtarisht në Shqipëri

Platforma e rrjeteve sociale TikTok është sërish e aksesueshme në Shqipëri, pas vendimit më të fundit të Këshillit të Ministrave për të shfuqizuar masën e përkohshme të bllokimit.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së qeverisë këtë të mërkurë, ku u anulua zyrtarisht vendimi nr. 151, datë 6 mars 2025, që parashikonte kufizimin e përdorimit të platformës për shkak të shqetësimeve mbi ndikimet e saj.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi të ri, ndalimi që ishte vendosur rreth një vit më parë nuk është më në fuqi dhe përdoruesit në Shqipëri mund ta përdorin sërish aplikacionin pa kufizime të mëparshme.

TikTok ishte pezulluar në fillim të marsit të vitit të kaluar, në kuadër të masave që synonin të reduktonin efektet e konsideruara problematike të platformave online, veçanërisht mbi të rinjtë dhe përmbajtjen e shpërndarë.

“Duroni pa TikTok disa kohë deri kur të përfundojnë edhe programin e përbashkët kompaninë TiKTok e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të paraqitur planin për rritjen e sigurisë për fëmijët e adoleshentët në mënyrë që të gjithë të jeni të lumtur, kompania, prindërit, fëmijët, mësuesit por edhe ne”, deklaroi Rama më herët kur vendosi për mbylljen e TikTok. Por deri tani, nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të planit që mund të vendosë rregulla për përdorimin e TikTok.

Ndonëse i ndaluar, përdorimi i TikTok përmes VPN ishte masiv.

Në nëntor 2024, 14-vjeçari Martin Cani u vra me thikë nga një bashkëmoshatar në një shkollë në Tiranë. Kjo vrasje u bë pika e kthesës për ndalimin e TikTok-ut në Shqipëri./ Zoom.al

Postime të lidhura