zoom

Bota

Franca dhe Spanja mes flakëve të “ferrit”. Macron: Situata më e rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore

Franca dhe Spanja mes flakëve të “ferrit”. Macron: Situata më e rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore

Teksa Spanja dhe Franca përballen me disa prej zjarreve më të rënda në histori, një valë e re të nxehti, me temperatura deri në 40 gradë Celsius, pritet ta rëndojë edhe më tej situatën.

Rajonet jugperëndimore franceze të Gironde dhe Landes janë nën alarm të verdhë për vapën ekstreme, e cila pritet të kulmojë të premten, duke vështirësuar operacionet për vënien nën kontroll të flakëve të paparashikueshme në zonën e Gironde.

Kryebashkiaku i Bordosë tha se autoritetet po përgatiten për çdo mundësi, ndërsa një prej zjarreve pyjore ndodhet vetëm 15 kilometra larg qytetit historik. Ai bëri të ditur se do të urdhërohen evakuime të mëtejshme, përveç mbi 220 mijë personave që janë shpërngulur tashmë nga banesat e tyre.

Presidenti Emmanuel Macron, i cili vizitoi pesë zonat e përfshira nga flakët në Gironde, deklaroi se vendi po përballet me situatën më të rëndë të zjarreve që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Duhet ta kuptojmë se po përballemi me një zjarr pyjor krejtësisht të paprecedentë. Situata me të cilën po përballemi sot është më e rënda që kemi përjetuar ndonjëherë, më e vështira që nga Lufta e Dytë Botërore. Deri më tani janë djegur mbi 160 mijë hektarë tokë dhe sezoni i zjarreve është ende larg përfundimit”, tha ai.

Teksa zjarrfikësit shënuan përparim të hënën, duke vënë nën kontroll një zjarr në rajonin e Landes, lufta me flakët vazhdon në Gironde, ku janë djegur 42 mijë hektarë tokë dhe janë shkatërruar 240 shtëpi.

Më herët, ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, tha se ky do të jetë “zjarri i shekullit”.

Ndërkohë, Spanja fqinje hyri në ditën e pestë të emergjencës kombëtare për shkak të zjarreve që vijojnë të digjen në perëndim të Madridit, ku temperaturat pritet të arrijnë në 39 gradë Celsius.

Mbi 100 mijë persona janë evakuuar, ndërsa 27 mijë hektarë tokë janë djegur.

Imazhet satelitore treguan se si flakët u përhapën gjatë dy ditëve, pasi një sërë vatrash në Almorox, Villa del Prado dhe San Martín de Valdeiglesias u bashkuan në një zjarr të vetëm gjigant.

Autoritetet kanë paralajmëruar se rajoni po përballet me zjarret më të rënda në historinë e tij.

Postime të lidhura