Aplikacion
Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët, duke apeluar për kujdes të shtuar ndaj një skeme të re mashtrimi kibernetik që synon marrjen e kontrollit të llogarive të aplikacionit WhatsApp.
Sipas të dhënave zyrtare, janë konstatuar disa raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese. Mashtruesit përdorin pretekste të ndryshme – si ftesa për të votuar në konkurse online apo konfirmime veprimesh – për t’i nxitur përdoruesit të klikojnë.
Më pas, viktimave u kërkohet të vendosin kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Përmes këtij kodi, autorët arrijnë të regjistrojnë llogarinë në një pajisje tjetër, duke shkëputur përdoruesin e vërtetë dhe duke marrë kontrollin e plotë të profileve.
NJOFTIM PËR QYTETARËT
Policia e Shtetit apelon për kujdes ndaj tentativave për marrjen e aksesit në llogaritë WhatsApp.
Policia e Shtetit informon qytetarët se janë konstatuar raste të qarkullimit të mesazheve dhe lidhjeve (linkeve) mashtruese, të cilat synojnë marrjen e kontrollit të llogarive WhatsApp.
Mashtruesit dërgojnë linke me pretendime të ndryshme, si p.sh. për të votuar në një konkurs ose për të konfirmuar një veprim.
Më pas, i kërkohet përdoruesit të vendosë kodin 6-shifror të verifikimit të WhatsApp. Ky kod përdoret nga autorët për të regjistruar llogarinë në një pajisje tjetër dhe për të marrë kontrollin e saj.
Policia e Shtetit këshillon qytetarët:
* Mos klikoni në linke të dyshimta, edhe nëse dërgohen nga persona të njohur;
* Mos ndani kurrë kodin e verifikimit të WhatsApp me askënd;
* Aktivizoni funksionin Two-Step Verification (Verifikimi me dy hapa) në aplikacionin WhatsApp;
* Nëse dyshoni se llogaria juaj është komprometuar, veproni menjëherë për ta rikuperuar atë dhe njoftoni personat e kontakteve tuaja.
Mbroni të dhënat tuaja!
Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë ndaj mashtrimeve kibernetike.
