zoom

Lajme

Këlliçi: Mega-afera e kazinosë në “Air Albania” lidhet me Olsi Ramën

Këlliçi: Mega-afera e kazinosë në “Air Albania” lidhet me Olsi Ramën

Nënkryetari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka denoncuar atë që e cilëson si një skemë të paligjshme lidhur me licencën e kazinosë në kullën “Air Albania”. Sipas tij, pas këtij transaksioni fshihen favorizime, pastrim parash dhe lidhje me persona të afërt të Olsi Ramës.

Këlliçi deklaroi se të gjitha dokumentet dhe provat që, sipas tij, mbështesin këto pretendime do t’i dorëzohen SPAK-ut për hetim.

Sipas tij, kompania Space+, e cila zotëronte licencën e kazinosë, ia shiti aksionet kompanisë GLG Investment në fund të vitit 2025. Ligji kërkon që një kompani që aplikon për një licencë kazinoje të ketë një kapital minimal prej rreth 12 milionë eurosh, si dhe eksperiencë në fushën e lojërave të fatit.

Këlliçi pretendon se GLG Investment nuk i plotësonte këto kritere dhe se miratimi i institucioneve shtetërore është dhënë në kundërshtim me ligjin.

Sipas dokumenteve të paraqitura prej tij, GLG Investment përdori si kapital një tokë prej 275 mijë metrash katrorë në Kepin e Rodonit. Kjo pronë ishte blerë në prill të vitit 2025 për rreth 320 mijë euro, ndërsa vetëm dy muaj më vonë u rivlerësua në afro 26 milionë euro, çka, sipas Këlliçit, i mundësoi kompanisë të plotësonte kushtin për kapitalin minimal dhe të merrte kontrollin e licencës së kazinosë.

Ai shtoi se prona është pjesë e një serie transaksionesh të dyshimta dhe se mbi të ekziston edhe një kontratë zhvillimi me kompaninë Premium Finance Invest, e lidhur, sipas tij, me biznesmenin Bledar Sinani.

Këlliçi ngriti dyshime edhe për rolin e disa institucioneve, si Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), Autoriteti i Konkurrencës, strukturat kundër pastrimit të parave dhe Komiteti i Investimeve Strategjike, duke pretenduar se ato kanë miratuar procedura që favorizuan këtë transaksion.

Ai u ndal edhe te pronësia e kompanisë GLG Investment, duke thënë se aksionet e saj kontrollohen nga një kompani offshore e regjistruar në Wyoming të SHBA-së, ndërsa pronari i deklaruar është një shtetas venezuelian, për të cilin, sipas tij, nuk rezultojnë aktivitete të njohura biznesi që të justifikojnë një investim të tillë.

Sipas Këlliçit, pas kësaj strukture fshihen persona të tjerë dhe ai përmendi lidhje të mundshme mes Gert Hakës, Bledar Sinanit dhe Olsi Ramës, duke kërkuar që këto marrëdhënie të hetohen nga SPAK.

Postime të lidhura