zoom

Bota

Japonia “shkundet” nga tërmeti, shemben ndërtesa dhe plagosen dhjetëra persona

Japonia “shkundet” nga tërmeti, shemben ndërtesa dhe plagosen dhjetëra persona

Një tërmet me magnitudë 7.1 të shkallës Rihter goditi jugun e Japonisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, probleme në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Lëkundjet sizmike u regjistruan në qytetin Kumamoto, në ishullin Kyushu, ndërsa autoritetet kanë nisur operacionet e emergjencës për përballimin e situatës.

Kryeministrja japoneze, Sanae Takaichi, deklaroi se bilanci i plotë i dëmeve është ende në proces vlerësimi, por konfirmoi se ka persona të plagosur, ndërtesa të shembura, rrugë dhe ura të dëmtuara, si edhe disa vatra zjarri të shkaktuara pas tërmetit.

Si masë emergjente, qeveria ka ngritur një task-forcë të posaçme dhe ka dërguar rreth 3.600 ushtarë në zonën e prekur për të ndihmuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në asistencën për banorët. Sipas kryeministres, prioriteti kryesor mbetet shpëtimi i jetëve njerëzore.

Mediat japoneze raportojnë se të paktën 100 persona kanë marrë ndihmë mjekësore në spitale të ndryshme të rajonit, ndërsa disa banesa janë shembur plotësisht. Ekipet e emergjencës po punojnë për të nxjerrë persona që dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja.

Situata është rënduar edhe nga shembja e një pjese të qendrës tregtare Aeon Mall, ku raportohet se pati persona të bllokuar brenda ndërtesës. Dhjetëra qytetarë u evakuuan menjëherë, ndërsa disa media japoneze flasin edhe për viktima, megjithëse autoritetet nuk kanë publikuar ende një bilanc përfundimtar.

Tërmeti shkaktoi gjithashtu probleme serioze në transport. Një tren mallrash doli nga shinat, aeroporti i Kumamotos pezulloi përkohësisht fluturimet, ndërsa u ndërpre qarkullimi në disa autostrada dhe linja hekurudhore, përfshirë ato të trenave me shpejtësi të lartë. Mbi 48 mijë banesa mbetën pa energji elektrike.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi fillimisht një paralajmërim për cunami, por alarmi u hoq pak më vonë pasi vlerësimet treguan se nuk ekzistonte më rrezik i menjëhershëm. Epiqendra e tërmetit u lokalizua pranë qytetit Uki, në prefekturën Kumamoto, në një thellësi prej rreth 10 kilometrash.

Autoritetet kanë paralajmëruar banorët të tregojnë kujdes gjatë ditëve në vijim, pasi zona vijon të përjetojë aktivitet sizmik dhe nuk përjashtohen lëkundje të tjera të forta. Sipas raportimeve, rreth 300 mijë persona janë ftuar të evakuohen nga zonat me rrezik më të lartë.

Ndërkohë, kontrollet e kryera në centralet bërthamore nuk kanë evidentuar probleme./ Zoom.al

Postime të lidhura