Aplikacion
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po gjykohet për akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Gjatë seancës, ai hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë së Posaçme, duke këmbëngulur se nuk ka ofruar asnjë përfitim në këmbim të votës.
Shkreli deklaroi se kontaktet e tij të vazhdueshme me banorët dhe institucionet kanë qenë pjesë e detyrës si kryetar bashkie dhe kanë pasur si qëllim vetëm zgjidhjen e problemeve të komunitetit.
Sipas tij, çështjet që lidhen me energjinë elektrike në fshatin Stajkë kanë qenë të hershme dhe ai ka ndërhyrë vazhdimisht pranë institucioneve përgjegjëse për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të banorëve.
Duke iu përgjigjur provave të paraqitura nga SPAK, Shkreli u ndal edhe te bisedat telefonike të përfshira në dosjen hetimore. Ai tha se komunikime të tilla janë të zakonshme në punën e përditshme të një drejtuesi vendor, pasi çdo ditë merr ankesa për probleme të ndryshme dhe kontakton drejtues institucionesh për t’i adresuar ato.
Kryebashkiaku komentoi edhe frazën “jepi zjarr”, e cila sipas prokurorisë lidhet me procesin zgjedhor. Ai sqaroi se shprehja kishte të bënte me atmosferën në një aktivitet elektoral dhe jo me kërkesa për vota apo premtime për favore.
Shkreli deklaroi gjithashtu se gjatë fushatës ka kërkuar vetëm pjesëmarrje sa më të madhe në takimet elektorale të forcave politike, duke theksuar se kjo nuk përbën shkelje të ligjit.
Në dëshminë e tij ai iu referua edhe një komunikimi tjetër, ku përmendej shprehja “ua kam dhënë unë lekët”. Sipas tij, kjo është nxjerrë jashtë kontekstit dhe lidhej me përpjekjet për të bindur banorët se defekti në rrjetin elektrik do të riparohej, duke mohuar kategorikisht se kishte financuar apo paguar ndonjë institucion.
Procesi gjyqësor ndaj Kristjan Shkrelit vijon në GJKKO. SPAK e akuzon për korrupsion në zgjedhje, ndërsa ai vazhdon të mohojë çdo shkelje, duke argumentuar se të gjitha veprimet e tij kanë qenë në funksion të detyrës dhe shërbimit ndaj qytetarëve./ Zoom.al