Aplikacion
Një operacion i autoriteteve italiane ka çuar në zbulimin e një laboratori të përpunimit të kokainës në Giussano, në provincën e Monzës, ku janë sekuestruar rreth 15 kilogramë lëndë narkotike dhe janë arrestuar dy shtetas shqiptarë.
Sipas mediave italiane, autoritetet kishin vënë nën vëzhgim apartamentin ku dyshohej se ushtrohej aktiviteti i paligjshëm. Fillimisht, efektivët ndaluan një prej shqiptarëve në momentin që po largohej nga banesa.
Pas kontrollit, policia përdori çelësat që iu gjetën të arrestuarit për të hyrë në apartament, ku brenda ndodhej edhe shqiptari tjetër, i cili u gjet duke fjetur. Gjatë kontrolleve, autoritetet zbuluan një laborator të pajisur për përpunimin dhe paketimin e kokainës, si edhe sekuestruan 15 kilogramë lëndë narkotike dhe pajisje të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Dy të arrestuarit u paraqitën më pas përpara gjyqtarit hetues në Gjykatën e Monzës, ku u shqyrtua masa e sigurisë ndaj tyre. Njëri prej tyre zgjodhi të mos japë deklarime, ndërsa tjetri pretendoi se ndodhej rastësisht në Giussano dhe mohoi përfshirjen në veprimtarinë e dyshuar.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi lënien në burg të të dy shqiptarëve, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht aktivitetin e grupit./ Zoom.al