Aplikacion
Protestat kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit janë shtrirë edhe jashtë kufijve, duke u pasuar me një tubim simbolik në kryeqytetin e Prishtina, përpara Ambasadës së Shqipërisë.
Në këtë protestë u mblodhën aktivistë dhe qytetarë që shprehën kundërshtimin e tyre ndaj ndërhyrjeve të paralajmëruara në zonat e mbrojtura natyrore, veçanërisht në Zvërnec, të cilat sipas tyre rrezikojnë ekosisteme me rëndësi të veçantë.

Pjesëmarrësit në tubim mbanin pankarta dhe bënë thirrje kundër asaj që e cilësojnë si privatizim dhe shfrytëzim të hapësirave publike. Ata kërkuan ndalimin e projekteve që, sipas tyre, cenojnë pasuritë natyrore dhe trashëgiminë mjedisore të Shqipërisë.
Gjatë protestës u dëgjuan slogane si “Shqipëria është e jona, jo e oligarkëve”, ndërsa pjesëmarrësit shprehën solidaritet me lëvizjet dhe protestat që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë dhe qytete të tjera shqiptare.
Organizatorët theksuan se shqetësimi i tyre nuk kufizohet vetëm brenda Shqipërisë, por prek të gjithë rajonin, duke e konsideruar mbrojtjen e zonave të tilla si një çështje të përbashkët mjedisore dhe publike.
Ndërkohë, emigrantët që jetojnë në vende të ndryshme të Europës kanë paralajmëruar protesta dhe tubime sensibilizuese në mbështetje të kauzës për mbrojtjen e zonës së Nartës dhe Zvërnecit.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë se protestat do të mbahen në Londër, Madrid, Vjenë, Stockholm dhe Hagë sipas një kalendari të caktuar./ Zoom.al