Aplikacion
Shakira rrëmbeu vëmendjen në finalen e Kupës së Botës në New York, ku performoi gjatë pushimit të pjesës së parë në një spektakël që tashmë ka hyrë në histori si shfaqja e parë e këtij lloji në finalen e turneut.
49-vjeçarja interpretoi këngën “Dai Dai” përpara një stadiumi të mbushur në finalen mes Spanjës dhe Argjentinës, duke dëshmuar se energjia dhe karizma e saj në skenë mbeten po aq të fuqishme sa në fillimet e karrierës. Performanca u shoqërua edhe nga fëmijë ugandasë, të cilët kërcyen së bashku me këngëtaren.
Por përtej spektaklit, një tjetër detaj u bë viral në rrjetet sociale: prania e ish-partnerit të saj, Gerard Piqué, në tribunat e stadiumit.
Ish-futbollisti ndoqi ndeshjen së bashku me dy djemtë e tyre, të cilët u panë duke kënduar, duartrokitur dhe shijuar performancën e nënës së tyre. Ndërkohë, Piqué u komentua gjerësisht për mënyrën se si reagoi gjatë shfaqjes, me shumë përdorues në rrjet që vunë re se ai dukej në siklet dhe shpesh largonte shikimin.
https://www.instagram.com/reel/DbC-7g8Ahnu/?igsh=MWgzOXo3dmc3ajd1Mg==
Pamjet rikthyen në vëmendje edhe një nga rrëfimet më të ndjera të Shakirës, ku ajo ka folur për periudhën më të vështirë të jetës së saj.
“Momenti im më i errët ishte kur kuptova se familja që besoja se do të zgjaste përgjithmonë nuk ekzistonte. Fakti që kjo ndodhi në të njëjtën kohë me problemin shëndetësor të babait tim e bëri edhe më të vështirë”, është shprehur këngëtarja në një intervistë të publikuar nga Associated Press.
Historia e dashurisë mes Shakirës dhe Gerard Piqué nisi në vitin 2010, kur futbollisti luante me kombëtaren spanjolle dhe këngëtarja interpretonte hitin “Waka Waka”, himnin zyrtar të Kupës së Botës. Ata qëndruan bashkë për 11 vite dhe u bënë prindër të dy djemve.
Ndarja e tyre u bë publike në qershor të vitit 2022 dhe u shoqërua me jehonë të madhe mediatike. Shakira akuzoi ish-futbollistin për tradhti dhe më pas u zhvendos me fëmijët nga Barcelona në Miami.
Sot, artistja thotë se fokusi i saj është puna dhe rritja e fëmijëve, të cilët i konsideron arritjen më të madhe të jetës.