Aplikacion
Avokati i Popullit Endri Shabani ka vizituar në burgun e Pojskës 34-vjeçaren me iniciale D.S., nga ku ka bërë me dije se ditën e nesërme pritet që të lirohet mamaja e tre fëmijëve të mitur që ra në pranga sapo shkeli në Rinas.
Në fjalën e mbajtur në lidhje me arrestimin e të resë, e cila ishte e dënuar me dy muaj burg për dhunën fizike të ushtruar ndaj vjehrrit të saj, Shabani bëri me dije se është çelur një hetim mbi mënyrën se si është zhvilluar procedura e burgosjes së të 34-vjeçares në kushtet kur ajo ka 3 fëmijë të mitur.
Shabani ngriti dyshimet se në lidhje me arrestimin e mamasë së 3 fëmijëve të mitur, mund të jenë bërë shkelje. Pas mbylljes së hetimeve për rastin konkret, Avokati i Popullit kërkoi që të merren masa në rast të shkeljeve.
Po ashtu, Shabani tha se ditën e nesërme do të ketë një seancë gjyqësore për rastin në fjalë dhe rivlerësimin e dënimit dhe shtoi se zonja do të lirohet përpara mesditës së nesërme. Nëse kjo nuk ndodh Shabani theksoi se kemi të bëjmë me shkelje të procedurave.
“Në bindjen time, zonja nesër para orës 12 do të jetë e lirë. Ne do ta ndjekim në çdo rrethanë dhe aty ku do të konstatojmë që është shkelur ligji, është abuzuar me procedurën, do të kërkojmë nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë marrjen e masave dhe pastaj respektivisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë apo Këshilli i Lartë Gjyqësor” tha Shabani.
Për arrestimin e 34-vjeçares mësohet se është interesuar dhe presidenti Bajram Begaj.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se Presidenti ka kërkuar informacione nëse e reja përfiton nga amnistia e nëse jo, ka kërkuar propozim zyrtar nga ministria e Drejtësisë për amnisti personale për të, pasi është nënë e tre fëmijëve të mitur, njëri prej të cilëve i sëmurë.