Aplikacion
Një 34-vjeçare, nënë e tre fëmijëve të mitur, është arrestuar nga autoritetet në Aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte e dënuar me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
Rasti është bërë publik nga gazetarja e kronikës Anila Hoxha, e cila ka raportuar se gruaja u ndalua sapo mbërriti në Shqipëri nga Gjermania, ku kishte qenë me familjen e saj.
Sipas të dhënave të bëra publike, 34-vjeçarja ka tre fëmijë, të moshave 4 vjeç, 2 vjeç dhe 7 muaj. Prania e tyre ka krijuar një situatë të vështirë për autoritetet, pasi nëna ka kërkuar që fëmijët të qëndronin pranë saj, duke argumentuar se kishin nevojë për kujdesin e saj, veçanërisht foshnja dhe fëmija 2-vjeçar.
“Një 34-vjeçare ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme një ushtrim i vështirë për autoritetet. Jo sepse ajo ishte e kërkuar dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroport. Jo sepse ishte e rrezikshme. Por për shkak të fëmijëve, njëri 4 vjeç i sëmurë, tjetri 2 vjeç dhe më i vogli afro 7 muajsh”, shkruan gazetarja.
Duke shtuar: “Problemi për policinë, më pas për prokuroren që lëshoi urdhrin e ekzekutimit dhe më pas për burgjet ishte: ku do të shkonin fëmijët e saj? Nëna kërkonte me insistim që fëmijët të qëndronin me të, sepse sipas saj nuk kishte ku t’i linte”, vijon Hoxha në reagimin e saj.
Pas shoqërimit të gruas nga policia, në ambientet përkatëse kanë mbërritur bashkëshorti dhe vjehrri i saj, të cilët kanë marrë nën kujdes dy fëmijët më të rritur.
“Vjehrri natyrisht e ka falur. Edhe shteti me gjasë e ka falur me amnistinë, por ajo sonte është në burg”, shkruan gazetarja.
Sipas gazetares Hoxha, dënimi prej dy muajsh burg nuk është përfshirë në amnistinë e miratuar së fundmi, pasi është vlerësuar se 34-vjeçarja i ishte shmangur ekzekutimit të vendimit penal.
Pas përfundimit të procedurave, gruaja është dërguar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë të Pogradecit, ku do të vuajë dënimin.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë të trajtojnë situatën e fëmijëve, ndërsa sipas informacioneve të bëra publike, fëmija 2-vjeçar pritet t’i bashkohet nënës gjatë qëndrimit të saj në institucionin e vuajtjes së dënimit.
Postimi i plotë:
Një 34 vjecare ka qenë gjatë gjithë ditës së sotme një ushtrim I vështirë për autoritetet. Jo sepse ajo ishte e kërkuar dhe u arrestua sapo mbërriti në aeroport. Jo sepse ishte e rrezikshme. Por për shkak të fëmijve , njëri 4 vjec i sëmurë, tjetri 2 vjec dhe më I vogli afro 7 muajsh. Në kthim e sipër nga Gjermania ku kishte lindur dy më të vegjëlit, gruaja duhej arrestuar; sepse duhet të shlyente 2 muaj burg të shpallura në mungesë ndaj saj.
Akuza – dhunë në familje ndaj vjehrrit
Problemi për policinë, më pas për prokuroren që lëshoi urdhërin e egzekutimit e më pas për burgjet ishte, ku do venin fëmijët e saj? Nëna kërkonte me insistim që fëmijët të qëndronin me të, sepse sipas saj nuk kishte ku ti linte.
Së paku fëmijën më të vogël, ma lini – u lut ajo.
Por edhe 2 vjecarin dua ta kem pranë u përgjërua. Po edhe të tretin se është sëmurë
Prokurorja mat, vendimi duhej egzekutuar , gruaja duhet të shlyejë 2 muajt e burgut
Kuptohet , policia zbaton nuk diskuton dot. Gjykata nga ana tjetër ka folur me kohë.
Deri sa mbërriti babai, dhe gjyshi – edhe ai donte që gjendja të zgjidhej
Po si te vepronin autoritetet se ligji do bindje, gruaja duhet të mbyllej në burg
Askush nuk e diskutoi që dënimi prej 2 muaj burg , përfshihet në ligjin e amnistisë. Por u vlerësua se i është shmangur dënimit. Ndaj burg
Zgjidhja; gruaja përfundoi në Pojskë
Policët u ligështuan dhe qanë pak bashkë me të rruges Tirane – Pogradec.
Te voglin ja lane ne gji , fëmija tjeter 2 vjec pritet ti dorëzohet neser ne burg.
Vjehrri natyrisht e ka falur
Edhe shteti me gjase e ka falur me amnistinë, por ajo sonte është në burg , në pritje ti bashkohet nesër edhe fëmija tjeter
Ja pra ligjet funksionojnë….