Aplikacion
Janë ngritur pikëpyetje të reja mbi tragjedinë e ndodhur në Zvërnec, ku humbi jetën gazetari Enrik Mehmeti, ndërsa dëshmi të reja hedhin dritë mbi momentet e fundit të tij dhe rrethanat që paraprinë aksidentin.
Gazetarja Afrovita Hysaj, mike e viktimës, ka bërë të ditur se ai ishte ende i vetëdijshëm pas aksidentit dhe telefonata e parë që realizoi ishte drejt vëllait të tij, Fabio.
Sipas saj, Enriku i kërkoi të vëllait të nxitonte për ta ndihmuar. “I ka kërkuar të nxitonte dhe të shkonte për ta shpëtuar. Ka telefonuar vëllain dhe i ka kërkuar që të ndërhynte”, është shprehur ajo.
Gazetarja ka ngritur gjithashtu dyshime lidhur me lëvizjet e Enrik Mehmetit atë mbrëmje, duke theksuar se ai nuk kishte njoftuar askënd se do të shkonte drejt Zvërnecit dhe se, ndryshe nga zakonisht, ndodhej vetëm në shoqërinë e një 18-vjeçari.
Ndërkohë, 18-vjeçari, i cili mbeti i plagosur lehtë në aksident, raportohet se ka dhënë deklarime të paqarta para grupit hetimor. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe shkaqet e aksidentit fatal.