Aplikacion
Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama hodhi poshtë deklaratat e saj lidhur me ndërtimet pa leje në Theth, duke mohuar se u kishte premtuar banorëve legalizimin e tyre.
Ish-socialistja publikoi një video-mesazh në rrjetet sociale, ku vuri në pikëpyetje rezultatet e “Paketës së Maleve”. Me tone ironike, ajo u shpreh se nuk mund të flitet për sukses të kësaj nisme për sa kohë banorëve të zonave malore ende nuk u njihet e drejta e pronësisë mbi tokat dhe kullat e trashëguara.
Koçeku theksoi se vetëm kur banorëve t’u njihet e drejta mbi truallin, tokat bujqësore, pyjore dhe bjeshkët që, sipas saj, i kanë shfrytëzuar dhe trashëguar prej shekujsh, atëherë mund të flitet për suksesin e vërtetë të “Paketës së Maleve”.
“Dua të flas për suksesin e ‘Paketës së Maleve’ kur atyre banorëve që kanë shekuj që jetojnë në ato zona akoma nuk u njihet e drejta e pronësisë mbi tokat e kullat e tyre.
Kur nuk ka akoma rrugë kryesore të asfaltuar, as ndërlidhje mes fshatrave, kur nuk po mbrohet as nuk mbështetet kurrsesi blegtoria e tyre, kur ndërtimi i një stani ka burokraci si me qenë duke ndërtuar një shtëpi, kur kullat e trashëguara me shekuj po shemben sepse nuk kanë as mbështetje e as tituj pronësie. Si mundet të funksionojë kur bizneset janë të detyruar të ndezin gjeneratorë tre muajt e verës për të mbijetuar.
Nëse u njihet e drejta këtyre banorëve mbi tokën truall, mbi tokën bujqësore, pyjore dhe bjeshkët që kanë shfrytëzuar ndër shekuj e i kanë trashëguar, atëherë mund të flasim për suksesin e ‘Paketës së Maleve’”, shprehet deputetja.
Gjatë vizitës në Theth diten e djeshme, ku prezantoi “Paketën e Maleve”, Rama iu përgjigj për herë të parë publikisht Koçekut, e cila më herët kishte deklaruar në një intervistë televizive se prishja me tritol e ndërtimeve pa leje në zonë ishte një “pabesi”.
Kryeministri theksoi se është e pavërtetë që ai u ka kërkuar banorëve të ndërtonin pa leje, duke sqaruar se premtimi i tij ka qenë vetëm për legalizimin e ndërtimeve ekzistuese dhe më të vjetra. Sipas Ramës, pas vizitës së tij në Theth pati një valë ndërtimesh të paligjshme që, sipas tij, dëmtuan zemrën e parkut natyror.
“Meqë është hera e parë që vij këtu pas tritolit që përmend ajo zonja. Është plotësisht e pavërtetë që unë kam ardhur këtu dhe kam thënë: ‘Vazhdoni e ndërtoni, se ne do t’i legalizojmë”. Kjo është e pavërtetë, sepse nëse do ta kisha thënë, do të isha në shkelje të ligjit.
Unë kam thënë këtu që do të legalizojmë ndërtimet ekzistuese dhe se do të fillojmë nga ato më të vjetrat. Edhe ata që kanë ndërtuar kulla në një zonë si kjo, që është park natyror i mbrojtur, nuk kishin dokumente. Askush nuk mund t’ua regjistronte kullën në Hipotekë, sepse ndodhet në një zonë të mbrojtur dhe nuk mund të bëhej pronë e regjistruar.
Ata të parët që kanë investuar këtu, kanë qenë heronj. Ajo që unë kam thënë është që legalizojmë ndëritmet e vjetra. Ajo që ndodhi është që pas vizitës time, shpërtheu ndërtimtaria e paligjshme. U arrit që të gotitet zemra e Thethit“, tha kreu i qeverise.