zoom

Aktualitet

Shkoi të riparonte defektin pas stuhisë, vdes punonjësi i OSHEE në Himarë

Shkoi të riparonte defektin pas stuhisë, vdes punonjësi i OSHEE në Himarë

Një punonjës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) humbi jetën në orët e para të mëngjesit në Himarë, teksa punonte për rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura nga moti i keq.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, në momentin kur ekipet teknike ishin angazhuar në riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjet nga erërat e forta dhe kushtet e vështira atmosferike.

Viktima është Bashkim Boçi, 55 vjeç, nga Elbasani, i cili ishte dërguar në Himarë për t’iu bashkuar ekipeve që po punonin në terren për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Sipas dyshimeve të para, 55-vjeçari mund të ketë rënë në kontakt me rrymën elektrike gjatë ndërhyrjes, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të ekspertizës teknike dhe hetimeve.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave që çuan në aksidentin fatal.