zoom

Aktualitet

Shqipëria nën “goditjen” e stuhive të premten, metorologia paralajmëron: Kush janë zonat më të rrezikuara

Shqipëria nën “goditjen” e stuhive të premten, metorologia paralajmëron: Kush janë zonat më të rrezikuara

Shqipëria pritet të përballet të premten me stuhi të shkurtra, por me intensitet të lartë, të cilat mund të shoqërohen me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta.

Sipas meteorologes Tanja Porja, fenomenet atmosferike do të prekin pothuajse të gjithë territorin e vendit, ndërsa rreziku më i lartë parashikohet në zonat qendrore dhe juglindore.

Ajo shpjegoi se bëhet fjalë për celula stuhish që formohen në mënyrë të izoluar dhe mund të godasin me forcë zona të caktuara, duke e bërë të vështirë përcaktimin paraprak të lokalitetit ku do të shfaqin aktivitetin më të madh.

Ndër zonat më të ekspozuara, Porja përmendi Fushë-Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, një pjesë të Librazhdit, Pogradecin, Korçën, Ersekën, Devollin, si edhe Përmetin e Gjirokastrën, duke theksuar se në rrezik mbetet i gjithë territori i Shqipërisë.

Meteorologia nënvizoi se, megjithëse stuhitë do të zgjasin vetëm 20 deri në 40 minuta, ato mund të prodhojnë sasi të konsiderueshme reshjesh dhe erëra me shpejtësi të lartë.

“Presim edhe sot në territorin shqiptar ndonjë gjë krejt të vogël. Ditën e premte kemi stuhi afatshkurtra thuajse në gjithë territorin shqiptar. Askush s’mund ta përcaktojë, sepse janë celula që shkëputen, vendosen mbi një lokalitet dhe aty prodhojnë maksimumin e aktivitetit të tyre. E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga këto stuhi”, u shpreh Tanja Porja në A2 CNN.