Aplikacion
Një efektiv i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete mëngjesin e kësaj të marte në varrezat e fshatit Morinë, në Kukës.
Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë u gjet rreth orës 08:25. Viktima me iniciale SH. H., banues në Prizren, raportohet se ishte punonjës policie në Njësinë e Reagimit të Shpejtë në Prizren.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 35-vjeçari i ka dhënë fund jetës me pistoletë, ndërsa arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
“Nga veprimet paraprake hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka vrarë veten me armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Duke shtuar: “Ndërkohë, Policia e Shtetit po bashkëpunon me Policinë e Kosovës për të verifikuar nëse arma e zjarrit e sekuestruar është arma e shërbimit të 35-vjeçarit, si dhe për sigurimin e çdo informacioni që do t’i shërbejë dokumentimit të plotë ligjor të rastit”, vijon njoftimi.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./Koha net