Aplikacion
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në institucion të shëndetit mendor.
“Po synojmë të peshojmë sigurinë dhe rehabilitimin në burgje. Kemi një plan dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor. Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohen të dënuarit që vuajnë nga shëndeti europian në çdo vend europian. Do të marrë disa vjet.”
Duke u ndalur te Raporti i fundit i Sundimit të Ligjit, ai e cilësoi atë si një etapë historike që konfirmon konsolidimin e sistemit, ndonëse theksoi nevojën për më shumë përpjekje në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimin e vakancave.
Gjatë pesë muajve të fundit, më shumë se 3 mijë qytetarë në pamundësi ekonomike kanë përfituar ndihmë juridike falas, duke shënuar një rritje prej 19% krahasuar me vitin e kaluar.
“Gjatë këtij 5-mujori, ne si Ministri e Drejtësisë, kemi qenë atje ku drejtësia takohet me qytetarin. Kemi marrë një zotim: me nisjen e reformës në drejtësi, asnjë qytetar me mungesë ekonomike nuk mund të mbetet pas. Mbi 3 mijë qytetarë kanë marrë shërbim juridik falas. Sa i përket rritjes krahasuar me vitin e kaluar, jemi duke folur për 19% rritje. Asnjë qytetar pa ndihmë juridike për shkak të pamundësisë ekonomike.”
Ministri zbardhi gjithashtu bilancin e amnistisë penale, nga e cila kanë përfituar mijëra persona përmes lirimit, uljes së dënimit apo shërbimit të provës. Sa i përket reformave në sistemin penitenciar, ai nënvizoi se po synohet balancimi i sigurisë me rehabilitimin, përfshirë krijimin e një institucioni të veçantë për shëndetin mendor brenda burgjeve.
“Sa i takon amnistisë penale, jemi duke folur për një ligj të zbatuar. Është zbatuar tërësisht me bashkëpunim të ngushtë me prokuroritë. 553 persona janë liruar, 863 persona kanë përfituar ulje dënimi, 2300 persona kanë përfituar nga shërbimi i provës. Kriteret e amnistisë nuk i cakton ministri, e as opinioni publik, por i cakton Kuvendi.”