Aplikacion
Deklarata e fundit e Kryeministrit Edi Rama, ku ai i referohet protestuesve dhe simbolikës së “Flamingove” si një shembull që “i ka mësuar shumë” dhe se “historia e tyre do të jetë ajo e Shqipërisë së re”, kërkon të përçojë një mesazh ndryshimi dhe reflektimi pas 13 viteve në pushtet.
Sipas retorikës së tij, ky ndërgjegjësim supozohet të shënojë një pikë kthimi nga politikat e deritanishme, aferat e përfolura në shëndetësi e arsim, korrupsioni galopant dhe betonizimi i zonave të mbrojtura si Zvërneci. Por fjalët e bukura dhe metaforat poetike nuk mjaftojnë më. Zoom.al i bën sot një sfidë të hapur publike kryeministrit të Shqipërisë.
Nëse vërtet qytetarët në shesh të mësuan diçka dhe nëse do të dëshmosh se kjo “kthesë” nuk është thjesht një manovër e radhës në “algoritmin” tënd mediatik, atëherë kalo nga fjalët te veprat, duke pranuar një sfidë të vetme: distancohu publikisht nga grupet kriminale.
Nëse keni ndryshuar vërtet, nëse protestat qytetare ju kanë ndërgjegjësuar realisht dhe keni reflektuar mbi gabimet që keni bërë, dilni publikisht dhe distancohuni pa asnjë ekuivok nga grupet kriminale që kanë pushtuar vendin nga veriu në jug.
Ndaloni përdorimin e krimit si makineri elektorale. Telefonatat tuaja me krerë të grupeve më të rrezikshme kriminale në vend janë bërë publike nga mediat e huaja. Pranojeni rolin dhe ndikimin që eksponentët e krimit të organizuar kanë pasur në kontrollin e territorit dhe deformimin e votës në çdo qark të Shqipërisë.
Pastrojini institucionet nga lidhjet me krimin. Shkëputni çdo lidhje mes pushtetit politik, administratës dhe grupeve me precedentë penalë që sot gëzojnë “imunitet” dhe akses në financat publike. Pothuaj në të gjithë vendin, grupet kriminale emërojnë drejtorë e punonjës të administratës, në kadastër, nëpër ministri, nëpër bashki etj.
Stop pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dilni dhe deklarojeni publikisht që këto para nuk do të vazhdojnë më të diktojnë ekonominë, ndërtimin dhe investimet strategjike në vend. Distancohuni nga “çunat e Londrës”, që i përdorët si alibi për të miratuar ligjin për amnistinë fiskale-penale.
Një kryeministër e ka detyrim ta bëjë këtë. Ju nuk e keni bërë në 13 vjet pushtet. Keni qenë më i ashpër me kritikët tuaj, sesa me vrasësit dhe trafikantët e drogës. Nëse keni ndryshuar, kjo është një formë për ta treguar. Nëse keni ndonjë formë tjetër për ta treguar kthesën tuaj, bëjeni publike me vepra. Në 13 vjet qeverisje, “mëkatet” kanë qenë të panumërta, por “ave mariat” dhe “suret” nuk mjaftojnë më për t’i larë. /Zoom.al