zoom

Aktualitet

Marjana Koçeku flet për Bajrat dhe zbulon çfarë i tha Rama 3 ditë pas ikjes nga PS

Marjana Koçeku flet për Bajrat dhe zbulon çfarë i tha Rama 3 ditë pas ikjes nga PS

Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, deklaroi në emisionin Now në Euronews Albania se me kryeministrin Edi Rama ka komunikuar vetëm tre ditë pasi bëri publik vendimin për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur.

Sipas saj, zgjedhja për të mos komunikuar menjëherë me kreun e qeverisë ishte e qëllimshme, në mënyrë që vendimi i saj të mos ndikohej nga askush.

“Me kryeministrin Rama kam komunikuar tre ditë pasi e kam marrë vendimin. Ky ka qenë një vendim personal, që të mos ketë asnjë hapësirë ndikimi mbi atë që kisha vendosur të bëja dhe të thosha. Vetëm pas tre ditësh iu përgjigja një sërë telefonatash dhe mesazhesh prej tij”, u shpreh Koçeku.

Ajo tha se nuk dëshiron të bëjë publike përmbajtjen e plotë të bisedave, pasi i konsideron private, por zbuloi se Rama e kishte paralajmëruar se pas këtij vendimi do të mbetej e vetme.

“Janë biseda private dhe preferoj të qëndroj korrekte. Ai më paralajmëroi se do të mbetem vetëm dhe se nuk do të më besojë askush pas këtij akti, as njerëzit e mi të maleve prej nga vij. Unë ia kam konfirmuar dhe vazhdoj t’ua konfirmoj të gjithë atyre që besojnë te kryeministri se unë nuk do të mbetem vetëm. Jam mësuar të jem e pavarur, është pjesë e karakterit tim dhe nuk tërhiqem. Nuk ka kthim pas në këtë vendim”, deklaroi Koçeku.

E ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, deputetja Marjana Koçeku, e njohur ndryshe si Neomalësorja, foli në lidhje me mesazhin e saj në rrjetet sociale drejtuar familjes Bajri në Shkodër. Ajo u shpreh se nuk do ta komentojë këtë çështje, pasi i qëndron mesazhit që ka bërë, të cilin e cilësoi si të bazuar mbi baza të forta.

E pyetur për kallëzimin në SPAK nga avokatët e Bajrave për këtë çështje, ajo tha se nuk e shqetëson aspak kjo gjë.

“Unë e kam dhënë mesazhin tim publikisht në lidhje me këtë gjë. Kam zgjedhur ta jap publikisht dhe është një mesazh i fortë dhe mbi baza të forta. Mendoj se gjithçka që kam dashur të them në lidhje me këtë gjë e kam dhënë përmes atij mesazhi. Jam mjaftuar me atë mesazh, sepse besoj se ai mesazh ka treguar mjaftueshëm. 

Ai ka qenë një mesazh i fortë dhe, siç e thashë, mbi baza të forta, kështu që i qëndroj atij mesazhi dhe besoj se është i mjaftueshëm ai mesazh. E kam parë nëpërmjet mediave që avokatët e Bajrit më kanë kallëzuar në SPAK, por nuk më shqetëson aspak. 

Jam mjaftuar me atë status. Nuk kam pasur reagim nga institucionet dhe mendoj që, nga ana ime, reagimi është bërë mjaftueshëm dhe mund të kuptohet mjaftueshëm ajo që kam dashur të them publikisht. Lufta ime nuk është kundër individëve të caktuar apo familjeve të veçanta. Lufta ime është tërësisht luftë politike dhe do të mbetet politike deri në fund. 

Preferoj që veprimtarinë time ta mbaj me vëmendjen te çështja politike dhe jo te çështje të tjera që mendoj se nuk kanë shumë rëndësi në këtë rast. Nuk e di të them pse ka ndodhur kjo gjë me Bajrin. Unë kam punuar në zonat rurale me njerëzit e ndershëm që kanë punuar në bujqësi. Nuk di çfarë të them për këto gjëra, i përkasin drejtësisë dhe çdo veprim në të mirën publike unë do ta mbështes. Çdo institucion të drejtësisë që lufton”, tha Koceku.

Pas largimit nga grupi i PS-së dhe daljes si deputete e pavarur, më 17 qershor 2026, ajo bëri një status në rrjetet sociale ku shkruante: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket qoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”, shkruante ajo.

Postime të lidhura