zoom

Aktualitet

“Po të mos ishte Kushner, s’i rruhej kujt”, Rama i kthen protestat e Zvërnecit në sulm ndaj “armiqve” të Trump

“Po të mos ishte Kushner, s’i rruhej kujt”, Rama i kthen protestat e Zvërnecit në sulm ndaj “armiqve” të Trump

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka hedhur poshtë protestat në rritje kundër resortit luksoz të planifikuar nga Jared Kushner, duke i cilësuar ato si një fushatë me motive politike e ushqyer nga kundërshtarët e presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas tij, projekti nuk paraqet asnjë rrezik për flamingot dhe speciet e tjera të mbrojtura.

Ditët e fundit, shqiptarët kanë dalë në protestë kundër planeve të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për të zhvilluar një resort luksoz në ishullin e paprekur të Sazanit dhe në bregdetin e Zvërnecit pranë Vlorës. Lëvizja është quajtur nga shoqëria civile dhe media ndërkombëtare si “revolucioni i flamingove”, pasi zona përbën një habitat të rëndësishëm për këta zogj karakteristikë.

Por në një intervistë për POLITICO, Rama mbrojti projektin e Kushner, duke deklaruar se politika e tij për të tërhequr investime të huaja për zhvillimin e turizmit shqiptar është e duhura. Ai hodhi poshtë kritikat ndërkombëtare dhe pretendoi se protestat nuk kanë qenë aq masive sa është raportuar.

“Nëse nuk do të ishte Jared-i, askujt nuk do t’i rruhej kujt se çfarë po ndodh në Shqipëri”, tha Rama në margjinat e samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat të Malit të Zi.

Ai pretendoi se “urrejtësit e Trump-it” kanë ndihmuar në amplifikimin e protestave, një kauzë që e cilësoi fisnike, pavarësisht se hodhi poshtë kritikat ndaj projektit.

Resorti i planifikuar, i mbështetur nga investitorë nga Katari dhe investitorë vendas, dhe që mund të përfshijë deri në 10 mijë dhoma hoteli dhe vila, parashikohet të ndërtohet në një ekosistem natyror që më parë gëzonte mbrojtje ligjore. Zona është habitat i flamingove, i më shumë se 200 specieve shpendësh shtegtarë, i fokës mesdhetare dhe i breshkave detare që folezojnë aty. Organizatat mjedisore paralajmërojnë se projekti do të dëmtojë habitatet e këtyre specieve.

Ndryshimet e debatueshme të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024 i hapën rrugë zhvillimeve turistike në disa prej këtyre zonave, duke nxitur më tej rritjen e një sektori që tashmë është trefishuar gjatë dekadës së fundit. Resorti në fjalë nuk ka kaluar një vlerësim të ndikimit në mjedis.

“Të huajt janë prioriteti i parë… sepse të huajt sjellin para në vend për shqiptarët”, deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria ka trefishuar Prodhimin e Brendshëm Bruto që kur ai mori detyrën e kryeministrit në vitin 2013.

Rama tha se nuk ka pasur kontakte me Kushner që nga nisja e protestave.

“Ai ka punët e veta për të bërë dhe, nga ana tjetër, ai dhe Ivanka nuk kanë asnjë lidhje me gjithë këtë histori… një histori krejtësisht e rreme dhe e fabrikuar”, tha kreu i qeverisë shqiptare, duke theksuar se në projekt janë përfshirë edhe investitorë të tjerë, si kompania katariote Power Holding.

Antisemitizmi është kthyer në një nga temat e debatit rreth protestave për shkak të origjinës hebraike të Kushner dhe rolit të tij në ndërmjetësimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sipas Ramës, Irani është përfshirë në një “luftë hibride” dezinformimi lidhur me projektin. Shqipëria ka qenë më parë objekt i sulmeve kibernetike iraniane si hakmarrje për strehimin e opozitës iraniane.

“Ata janë pjesë e kësaj historie sepse nuk ka askënd tjetër që ka interes të ushqejë narrativën e antisemitizmit, të bazuar mbi një lajm të rremë të pabesueshëm dhe të neveritshëm”, tha Rama, duke iu referuar teorive konspirative sipas të cilave projekti do të përdorej për të sistemuar palestinezë nga Gaza në zonë.

Protestuesit dhe organizatat e shoqërisë civile thonë se disa pankarta apo postime antisemite në rrjetet sociale nuk përfaqësojnë lëvizjen në tërësi.

Rama këmbënguli se po i kushtohet vëmendje ndikimit social dhe mjedisor të resortit. Ai kundërshtoi edhe etiketimin e protestave si “revolucioni i flamingove”, duke argumentuar se dezinformimi ka deformuar numrin real të protestuesve. Sipas tij, asnjë nga liderët europianë të pranishëm në samitin e Tivatit nuk e ka ngritur këtë çështje.

Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 dhe Rama tha se nuk beson që shqetësimet mjedisore do të pengojnë këtë objektiv.

“Ata do të mund t’i shohin me sytë e tyre flamingot dhe zhvillimin që bashkëjetojnë bukur me njëri-tjetrin”, tha ai.

I pyetur nëse do të organizonte ndonjë samit në resortin e ardhshëm, Rama iu përgjigj POLITICO-s: “Ky nuk do të jetë Mar-a-Lago im.”/Politico.eu

Postime të lidhura