Aplikacion
Qytetarë të shumtë janë mbledhur pasditen e kësaj të shtune në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të protestës së shtatë radhazi të organizuar kundër qeverisë dhe projektit në zonën e Zvërnecit.
Pjesëmarrësit janë me pankarta dhe mesazhe kundër qeverisë. Mbështetur edhe në skenarin e protestave të ditëve të tjera, pritet që edhe sot ata të marshojnë drejt Kryeministrisë, ku qëndrojnë deri në orën 10 të darkës.
Megjithatë, ndryshe nga dje, sot bulevardi është i bllokuar për shkak të masave të marra nga policia për miqësoren Shqipëri-Luksemburg dhe kjo pritet të sjellë përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, siç ndodhi të mërkurën.
Protesta vjen pas disa ditësh mobilizim në kryeqytet, ku qytetarë dhe aktivistë kanë zhvilluar tubime dhe marshime në kundërshtim të projektit që ka nxitur debat të gjerë publik.
Organizatorët kanë deklaruar se synimi i protestave është rritja e presionit qytetar ndaj institucioneve për të dëgjuar shqetësimet e ngritura nga pjesëmarrësit.
Ndërkohë, protesta të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën, Durrësin, Fierin dhe Shkodrën. Po ashtu, mobilizimi ka gjetur mbështetje edhe në diasporën shqiptare, me tubime të organizuara në disa qytete evropiane, si Londra, Berlini, Mynihu dhe Milano./ Zoom.al