Aplikacion
Protesta kundër qeverisë, që po zhvillohet para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, po shoqërohet me thirrje të forta dhe mesazhe të drejtpërdrejta nga qytetarët pjesëmarrës. Mes tyre, një protestues ironizoi aktivitetin e zhvilluar një ditë më parë në Vlorë, duke pretenduar se pjesëmarrja kishte qenë shumë më e ulët nga sa pritej.
Sipas tij, qytetarët po tregojnë çdo ditë e më shumë pakënaqësinë ndaj qeverisjes dhe kërkojnë ndryshim politik.
“Nuk largohemi nga ky shesh pa u dëgjuar zëri ynë. Kërkesa jonë është e qartë: dorëheqja e kryeministrit dhe mbajtja e përgjegjësive për problemet që kanë prekur vendin”, u shpreh protestuesi mes duartrokitjeve të pjesëmarrësve.
Ai shtoi se protesta nuk do të ndalet dhe se qytetarët do të vijojnë mobilizimin edhe në ditët në vijim. Sipas tij, numri i pjesëmarrësve pritet të rritet, ndërsa pakënaqësia ndaj qeverisë po shtrihet jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë.
Një ditë më parë, gjatë një bashkëbisedimi me banorët në Zvërnec, kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka ndërmend të lëshojë karrigen.
Ai u shpreh se nuk e sheh veten në pozicion negocimi me askënd, duke theksuar se nuk ka arsye për të bërë marrëveshje të reja mbi çështjet e ngritura.
Sipas tij, dialogu mbetet gjithmonë i hapur, por vendimet nuk varen nga presioni apo protestat. Rama shtoi se ka qenë i qartë edhe më herët kur është pyetur për këto çështje dhe se nuk ndryshon qëndrim për shkak të kundërshtimeve publike.
Në një ton ironik, ai deklaroi se ata që kërkojnë largimin e tij politik “në fakt i shtojnë jetë”, duke nënkuptuar se kundërshtimi e forcon më shumë në vendimmarrje./ Zoom.al