Aplikacion
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një mesazh tjetër protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij prej 1 jave me protesta të vazhdueshme në Tiranë, të cilat janë shtrirë në disa nga kryeqendrat e Europës, por edhe në qytetet kryesore të Shqipërisë.
Teksa i konsideron “flamingo bulevardi” Rama pyet protestuesit se çfarë kanë me paketën e maleve, për të cilën ato kërkojnë shfuqizimin e ligjit.
Ai përsërit se asgjë nuk do e ndalë zhvillimin e turizmit në Shqipëri, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë protestuesve lidhur me kërkesat që ato kanë parashtruar sa i takon shfuqizimit të ligjeve për investitorët strategjikë, anulimin e projektit të Zvërnecit, anulimin e paketës së maleve, si dhe anulimin e çdo ndryshimi në ligjin për zonat e mbrojtura.
“Po me Paketën e Maleve ç’kanë Flamingot e Bulevardit apo edhe ata që kanë tokat e trashëguara në Shqipërinë malore nuk duhet ta gëzojnë pronën e tyre, duke zhvilluar një agroturizëm, një punishte agropërpunimi, një fermë?!
Sot, ata nuk marrin çertifikatë me 7501-shin, se e kanë ndarë mesveti tokën sipas kufijve të vjetër dhe nuk e kanë pranuar asnjëherë 7501-shin, po duke mos pasur çertifikatë s’marrin dot as leje, as subvencione nga shteti, as financime nga fondet e BE-së, as kredi nga bankat.
Ndërsa Paketa e Maleve, e cila është zgjidhje e formësuar në vite që ka mbështetjen e tyre dhe po tërheq mijëra emigrantë për të investuar në tokën e tyre, mbyll boshllëkun ligjor, e hap rrugën e futjes së maleve në ekonominë tonë përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit”, shprehet Rama.