Aplikacion
Një postim i kryeministrit Edi Rama lidhur me diskutimet për zonën e Zvernecit ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke ndezur një debat të gjerë mes tij dhe qytetarëve.
Në reagimin e tij, Rama ka hedhur poshtë pretendimet që qarkullojnë online për ndikimin e një projekti të mundshëm në zonë dhe për largimin e flamingove, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të ekzagjeruara.
”Tani o duhet të jesh i marrë o duhet t’i marrësh njerëzit për idiotë, që të sajosh të tilla budallallëqe me Inteligjencë Artificiale dhe t’ua tregosh njerëzve për të vërteta të kobshme, se jo për gjë, po me këto pamje i bie që flamingot po ikin nga sytë këmbët prej zhurmës suaj anti- ekologjike jo prej projektit, se projekt s’ka akoma dhe s’ka arritur akoma teknologjia t’i bëjë zogjtë të ndjeshëm deri edhe ndaj projekteve që s’kanë ndodhur”, shkroi kryeministri.

Pas postimit, komentuesit kanë reaguar me tone kritike, duke e akuzuar kryeministrin për gjuhë fyese ndaj qytetarëve dhe për mungesë vëmendjeje ndaj problemeve të përditshme.
”“Ke 10 statuse me etiketime si idiotë, budallenj, kllounë për popullin tënd o zotëri! Cipë në faqe s’keni!?
Nuk kanë dalë shqiptarët në sheshe për flamingot, por për abuzimet e tua, arrogancën dhe hallet e përditshme.””, shorehet një prej tyre
Në komentet e tyre, ata theksojnë se shqetësimet kryesore të qytetarëve lidhen me shërbimet bazë, si furnizimi me ujë të pijshëm, situata ekonomike, si dhe problematika në sistemin shëndetësor dhe atë social.

Sipas tyre, qytetarët nuk janë kundër zhvillimit apo turizmit, por kërkojnë që të adresohen edhe nevojat bazike të jetesës dhe përmirësimi i kushteve të përditshme.
Debati për Zvernecin vijon të mbetet aktiv në rrjetet sociale, duke u shndërruar në një përplasje më të gjerë mbi prioritetet e qeverisjes.



