zoom

Aktualitet

“Projekti në Zvërnec do bëhet patjetër”/ Rama: PS shpëtoi flamingot, 10 vite më parë haheshin

“Projekti në Zvërnec do bëhet patjetër”/ Rama: PS shpëtoi flamingot, 10 vite më parë haheshin

Në podkastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal sërish te debati për Zvërnecin, duke e paraqitur si një histori suksesi të qeverisë në ruajtjen e biodiversitetit.

Ai kujtoi se një dekadë më parë, sipas tij, flamingot ishin viktima të gjuetisë së paligjshme dhe pyjet shkatërroheshin pa kontroll, ndërsa sot situata ka ndryshuar falë punës së PS-së.

Ndërkohë ai u shpreh se projekti në Zvërnec do të vijojë duke injoruar kërkesat e protestuesve që kanë mbushur sheshet jo vetëm në qytetet e Shqipërisë por edhe jashtë vendit.

“Këtë javë Shqipëria u zgjodh me votë unanime në krye të Forest Europe, Europa e pyjeve, për mandatin 2026-2030, duke marrë stafetën nga Suedia. 

Ky është një vendim që ka një domethënie dhe domethënia, ma ha mendja, është e kuptueshme për të gjithë nëse i bëjmë pyetjen vetes: a mundet vallë të mendohet se Shqipëria mund të zgjidhej në krye të kësaj organizate kaq të rëndësishme 10 vjet më parë? 10 vjet më parë, kur në zonat tona të mbrojtura kërciste gjuetia e paligjshme dhe flamingot, jo vetëm që vriteshin, por edhe haheshin.

10 vjet më parë, kur pyjet priteshin dhe kamionët me dru pyjesh venin e vinin vargan-vargan lart e poshtë, nga veriu në jug? 10 vjet më parë, kur as nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, se edhe zonat e mbrojtura që ishin, ishin tokë pa zot, ndërkohë që shumëçka që duhej vënë në mbrojtje vetëm bëhej pre e babëzisë. 

Sa hidrocentrale do të ishin ndërtuar në Vjosë nëse 10 vjet më parë ne nuk do t’i kishim thënë stop gjithë marrëzisë së Shqipërisë mini superfuqi energjetike e rajonit? Çfarë do të kishte ndodhur sikur në këto 10 vjet, ne të mos e kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura në 25% të territorit të Shqipërisë etj.?

Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”, tha Rama.

Postime të lidhura