Aplikacion
Ndërsa me tone arrogante dhe skenarë të stilit “Wag the Dog” përpiqet të bindë opinionin publik se në Zvërnec “nuk ka ende një projekt arkitektonik”, kryeministri Edi Rama është kapur mat nga dokumentet zyrtare. Zoom.al zbardh masterplanin dhe vendimet e fshehura në sirtarët e Këshillit Kombëtar të Territorit , të cilat provojnë se deklaratat e ditëve të fundit të shefit të qeverisë janë thjesht një tentativë për të fshehur batërdinë mbi zonën e mbrojtur.
Dokumentet tregojnë se qeveria shqiptare jo vetëm që e ka pasur projektin në tavolinë, por ka kaluar fazat kryesore të miratimit për kompanitë e lidhura me dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, dhe vëllezërit miliarderë sirianë të Katarit, Ah-Khayyat.
Gjatë daljeve të fundit publike, pas presionit të madh të “Revolucionit të Flamingove” Rama u shpreh prerë: “Sot nuk ka një projekt arkitektonik të miratuar, ai nuk ekziston”.
Mirëpo, të dhënat zyrtare nga mbledhjet e KKT-së dëshmojnë të kundërtën. Këshilli i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e vetë Edi Ramës, ka miratuar që në janar të vitit 2025 Lejen e Masterplanit dhe Zhvillimit për “Resortin turistik në Gadishullin e Zvërnecit” (specifikisht për bllokun rezidencial F1V2, F1V3 dhe F1R6) në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.
Sipas vendimeve të KKT-së, leja e ndërtimit është miratuar që në vitin 2025-ën.


Në mbledhjen e datës 28 janar 2025 është miratuar leja e ndërtimit për objektin: “Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, Blloku Rezidencial F1V2, F1V3, F1R6, me vendndodhje në zonën Pishë Poro-Nartë, Bashkia Vlorë, ku subjekt zhvillues është shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k., kompania e lidhur me projektin e investitorit amerikan Jared Kushner.
Më tej, në mbledhjen e 29 prillit 2026, KKT ka miratuar edhe një leje infrastrukturore për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore për ndërtimin e rrugëve të aksesit brenda pronës, sërish për të njëjtën kompani.



Leja është lëshuar në favor të kompanisë “Zvërneci South Adriatic Development”, një entitet i krijuar posaçërisht me qëllimin e vetëm për të mbuluar këtë projekt gjigand. Ky dokument rrëzon çdo alibi të Kryeministrit dhe tregon se “grumbulli i dherave dhe rrethimi me tela me gjemba” që irritoi qytetarët nuk është një fazë fillestare, por zbatim i një plani të miratuar me firmë dhe vulë shtetërore.
Për të zbutur reagimin e ashpër të shoqërisë qeveria ka nisur të bëjë lojëra përmes zyrtarëve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Sipas tyre, ajo që është miratuar është thjesht një “leje masterplani që përcakton parametrat urbanistikë” dhe jo “projekti përfundimtar arkitektonik”.
Në gjuhën e zhvillimit urban, kjo do të thotë se shteti shqiptar i ka thënë kompanisë së Kushnerit se sa kate mund të ndërtojë, ku do të shtrihen hotelet me 10,000 dhoma dhe sa metra katrorë të ligatinës do të zihen nga betoni.
LEXO EDHE:
Por skandali nuk përfundon këtu. Fakti që masterplani është miratuar pa pasur ende një Studim të Ndikimit në Mjedis (VNM) të përfunduar dhe të certifikuar, përbën një shkelje të rëndë ligjore. Këtë skandal e ka konfirmuar edhe vetë Komisioni Europian për rrjetin amerikan CNN, duke deklaruar se ligji për investimet strategjike po përdoret si mburojë për të anashkaluar filtrat ligjorë dhe mjedisorë në zonat e mbrojtura.
Për më tepër, Brukseli pranoi se hetimet e nisura nga SPAK për tjetërsimin e pronave në Zvërnec shtrihen shumë “përtej mjedisit”, duke prekur skemat korruptive të Kadastrës dhe pronarëve në hije si Artur Shehu, që i kanë shitur dokumente të dyshimta kompanive ndërmjetëse në terren.
Publikimi i këtyre dokumenteve e ndryshon narrativën mbi projektin e Zvërnecit.
Edi Rama gjendet në pozita të vështira që pas shpërthimit të protestave. Nga njëra anë, ai ka marrë zotime përpara partnerëve ndërkombëtarë dhe studiove prestigjioze që po skicojnë projektin me miliona euro investime, ndërsa nga ana tjetër, dokumentet që po dalin në dritë po i zhveshin qeverisë çdo ditë e më shumë propagandën e “turizmit elitar që mbron natyrën”.
Dokumentet e publikuara në Zoom.al tregojnë se masterplani ekziston, leja e parë është firmosur që në janar 2025 dhe tentativat për ta mohuar sot janë thjesht dëshmi e një arrogance qeverisëse që nuk e fsheh dot më batërdinë mbi pasurinë publike të Shqipërisë. /Zoom.al