zoom

Aktualitet

Pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, SPAK arreston Orest Sotën! Në kërkim biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi

Pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, SPAK arreston Orest Sotën! Në kërkim biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi

Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, po zhvillon një operacion për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të parave në shuma të mëdha, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas informacioneve paraprake, janë lëshuar 20 masa sigurie ndaj personave të përfshirë në këtë dosje hetimore. Deri më tani është arrestuar Orest Sota, ndërsa masa e sigurisë “arrest me burg” është caktuar edhe për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi, të cilët ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.

Biznesmeni Artur Shehu, jeton prej 23 vitesh në Florida të SHBA, është pronar i qindra hektarë prona në Zvërnec ku pritet të ndërtohet resorti luksoz, për të cilën prej 12 ditësh zhvillohet protestë ne Tiranë e jo vetëm, si edhe në Karaburun e zonave më të lakmueshme të Vlorës.

Në kërkim është shpallur gjithashtu edhe Orgec Birçaj, ndërsa ne arrest shtëpie u vendos E.J.

Ka dyshime se të arrestuarit dhe personat nën hetim kanë luajtur rol në pastrimin e parave që dyshohet se burojnë nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike.

Çfarë deklaroi Artur Shehu?

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ku u diskutua projekti në Zvërnec dhe protesta qytetare kundër investimit, Artur Shehu deklaroi direkt nga Miami se 460 hektarët e tokës në Nartë janë pronë e vjetër dhe e padiskutueshme e fisit të tij.

Lidhur me hetimet e SPAK për tjetërsim të paligjshëm të këtij trualli dhe bllokimin e llogarive të tij, ai u shpreh i qetë duke thënë se organet e drejtësisë janë në të drejtën e tyre të bëjnë verifikimet.

Shehu mohoi në mënyrë kategorike çdo kontakt të drejtpërdrejtë me investitorët e projektit në Zvërnec, duke saktësuar se marrëdhëniet me ta po zhvillohen përmes ndërmjetësve.

Ai gjithashtu bëri me dije se disponon certifikata pronësie për 253 hektarë dhe se është i gatshëm që përmes avokatit të tij të paraqesë çdo dokument që vërteton ligjshmërinë e pronës.

Prona është e fisit Shehu dhe unë jam një nga pronarët, por pjesa më e madhe ka kaluar nga unë, sepse unë jam marrë me ta. Por, prona është e gjithë farefisit. Nuk janë marrë të gjitha pronat. 252-253 hektarë. Unë kam pronën time dhe nuk më duhen të tjerat, por dua të shpjegoj një gjë, prona është e padiskutuar. Nuk zihet fare prona në gojë.

SPAK ka punën e vetë dhe le ta verifikojë. Nuk kam asnjë gjë me SPAK”, tha ai në intervistë pak ditë më parë.

/Zoom.al

Postime të lidhura