Aplikacion
Gazetarja Klodiana Lala ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme (SPAK) po zhvillon hetime për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonat e Zvërnecit dhe Akërnisë.
Sipas saj, SPAK ka regjistruar një procedim penal për veprat penale të grupit të strukturuar kriminal dhe pastrimit të parave, ndërsa hetimet lidhen me mënyrën e përfitimit dhe transferimit të pronave në këto zona.
Lala bëri të ditur se më 31 maj, me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), janë ushtruar kontrolle në zyra dhe subjekte të ndryshme, në kuadër të mbledhjes së provave për hetimin. Ajo shtoi se vendimi për ngrirjen e llogarive të investitorëve katarianë është marrë para kësaj date.
Sipas gazetares, hetuesit kanë kryer kontrolle ndaj personave që mund të kenë dijeni për çështjen, si dhe në ambiente ku dyshohet se mund të gjenden prova të rëndësishme. Hetimi përfshin veprime dhe transaksione të kryera gjatë viteve 2015, 2025 dhe 2026.
“SPAK po heton për skemë masive për tjetërsim pronash në Akërni dhe në Zvërnec. Është regjistruar procedim penal të grupit kriminal dhe pastrim parash. Më 31 maj ka pasur një vendim të GJKKO, që ka kontrolluar zyra dhe shoqëri. Vendimi për të ngrirë llogaritë e investitorëve katarianë është më herët se 31 maji. Është bërë kontrolli i personave që mund të kenë dijeni dhe vendeve ku mund të gjenden prova, për llogari të hetimit. Janë kryer veprime dhe transaksione gjatë 2015, 2025 dhe 2026”, u shpreh ajo në Opinion.
Gazetarja u ndal edhe te pretendimet e pronësisë së Artur Shehu, duke theksuar se proceset gjyqësore ku ai pretendon pronësinë e disa pasurive nuk kanë përfunduar ende dhe se çështja vijon të shqyrtohet në gjykatë për shkak të pretendimeve të palëve të tjera.
“Proceset ku Shehu pretendon se është pronar janë procese që nuk janë mbaruar, se është në gjyq me persona të tjerë. Për këto pasuri, banorët pretendojnë se tokat janë përfituar me AMTP, ndërsa SPAK dyshon se dokumentet e pronësisë janë të falsifikuara. Zoti Shehu i është drejtuar gjykatës dhe Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë, por edhe pala tjetër ka pretendime pronësie”, tha gazetarja./Zoom.al