zoom

Aktualitet

Dita e nëntë e protestës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë me thirrjen “Shqipëria e re”

Dita e nëntë e protestës, qytetarët marshojnë drejt Kryeministrisë me thirrjen “Shqipëria e re”

Protesta kundër projektit të planifikuar turistik në Zvërnec dhe qeverisë ka hyrë në ditën e saj të nëntë, ndërsa qindra qytetarë janë mbledhur sërish këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej” për të vijuar marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.

Ashtu si në ditët e mëparshme, pjesëmarrësit u organizuan fillimisht në qendër të Tiranës, për t’u drejtuar më pas përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku pritet të zhvillohet tubimi kryesor.

Këtë herë, protesta është shoqëruar me sloganin “Shqipëria e re”, ndërsa në duart e protestuesve ka pankarta me mesazhe kundër qeverisë dhe klasës politike. Një grup studentësh kryesoi për pak marshimin me pankartën: “Nuk i ke larë akoma hesapet me studentët”, ndërsa mesazhe të tjera kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Lëvizja qytetare nisi pas kundërshtimeve ndaj projektit të parashikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Aktivistët, qytetarët dhe organizatat mjedisore pretendojnë se zhvillimi i projektit mund të sjellë pasoja të pakthyeshme për biodiversitetin dhe habitatet e mbrojtura të zonës.

Megjithatë, me kalimin e ditëve, protesta ka tejkaluar çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe është shndërruar në një forum më të gjerë pakënaqësie qytetare. Në tubime janë ngritur shqetësime që lidhen me korrupsionin, transparencën e institucioneve, modelin ekonomik të vendit dhe mënyrën e qeverisjes.

Një nga karakteristikat kryesore të protestës ka qenë përpjekja e organizatorëve dhe pjesëmarrësve për ta mbajtur atë larg ndikimit të partive politike. Edhe pse përfaqësues të opozitës kanë shprehur mbështetje për kauzën, protestuesit kanë deklaruar vazhdimisht se tubimi është qytetar dhe nuk përfaqëson asnjë forcë politike./ Zoom.al

Postime të lidhura