Aplikacion
Pak para nisjes së protestës qytetare para godinës së Kryeministrisë, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, ku ka argumentuar se pakënaqësia e qytetarëve lidhet drejtpërdrejt me modelin ekonomik dhe mënyrën e qeverisjes së ndjekur gjatë viteve të fundit.
Sipas Tabakut, protesta nuk është thjesht një reagim ndaj një vendimi apo një çështjeje të veçantë, por shpreh revoltën ndaj një sistemi që, sipas saj, ka përqendruar pasurinë dhe mundësitë ekonomike në duart e një grupi të vogël njerëzish.
Deputetja demokrate u shpreh se prej vitesh opozita ka ngritur shqetësimin për atë që e konsideron një vizion të gabuar ekonomik, i cili ka orientuar zhvillimin e vendit kryesisht drejt sektorit të ndërtimit dhe tregut imobiliar, duke lënë në plan të dytë prodhimin, konkurrencën dhe sipërmarrjen.
“Për 12 vite me radhë kemi folur për vizionin e cunguar ekonomik të Shqipërisë. Një model që nuk prodhon më, që ka përqendruar ekonominë në duart e pakicës dhe ku gjithçka shkon tek ata”, deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se investimet e huaja janë përqendruar gjithnjë e më shumë në sektorin e pasurive të paluajtshme, duke argumentuar se sot ato janë disa herë më të larta në industrinë imobiliare sesa në sektorët e tjerë të ekonomisë.
“Nuk mund të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme vetëm mbi tulla dhe llaç. Ky model nuk prodhon, nuk krijon vlerë të shtuar dhe nuk garanton mundësi reale për shumicën e qytetarëve”, u shpreh ajo.
Tabaku argumentoi se mungesa e konkurrencës, ligjet e hartuara për interesa të caktuara dhe favorizimi i grupeve të privilegjuara kanë krijuar një klimë pakënaqësie që, sipas saj, po reflektohet edhe në protestat qytetare.
“Ky është një model që i ka hequr oksigjenin ekonomisë, i ka hequr garën dhe nuk lejon askënd t’ia dalë me forcat e veta. Kjo është arsyeja pse protesta e sotme lidhet me sistemin, me konkurrencën e munguar, me ligjet me porosi dhe me arrogancën e të korruptuarve”, deklaroi deputetja./ Zoom.al