Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur shqetësimin për ndikimin që ekonomia informale dhe pastrimi i parave po ushtrojnë mbi ekonominë shqiptare, duke argumentuar se fenomeni po dëmton sektorët kryesorë të vendit dhe po rëndon jetën e qytetarëve.
Duke iu referuar hetimeve të fundit të SPAK për skema të dyshuara të pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit, Tabaku deklaroi se hyrja e kapitaleve të paligjshme në ekonomi ka krijuar deformime serioze në treg dhe ka goditur aktivitetet prodhuese.
Sipas saj, një nga sektorët më të prekur është ndërtimi. Ajo theksoi se çmimet e larta të apartamenteve, veçanërisht në Tiranë, e kanë bërë blerjen e një banese pothuajse të pamundur për shtresën e mesme dhe për të rinjtë.
Deputetja demokrate u ndal edhe te bujqësia, duke argumentuar se fermerët shqiptarë po humbasin aftësinë për të konkurruar në tregjet rajonale dhe europiane. Sipas saj, vështirësitë në këtë sektor po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë kombëtare dhe në mijëra familje që jetojnë nga aktiviteti bujqësor.
Një tjetër sektor që, sipas Tabakut, po përballet me vështirësi është industria fason. Ajo tha se zhvlerësimi i euros dhe deformimet ekonomike kanë sjellë mbylljen e bizneseve dhe humbjen e vendeve të punës në këtë industri.
Tabaku lidhi këto zhvillime edhe me pakënaqësitë dhe protestat e fundit qytetare, duke theksuar se shumë shqiptarë ndihen të përjashtuar nga modeli aktual ekonomik. Sipas saj, vendi ka nevojë për një ndryshim të politikave ekonomike dhe për masa që mbështesin prodhimin, biznesin dhe shtresën e mesme.
“Fakt! Ekonomia shqiptare është helmuar nga paratë e pista. Ky është edhe përfundimi që del nga operacionet e fundit të SPAK-ut, ku miliona metra katrorë ndërtim dyshohet se janë financuar nga para të grupeve kriminale, ndërsa lejet e ndërtimit janë shpërndarë sikur të ishin pronë e pushtetarëve.
Tre sektorë kryesorë të ekonomisë shqiptare janë prekur drejtpërdrejt nga zhvlerësimi i euros dhe nga paraja informale që qarkullon në ekonomi.
Së pari, ndërtimi.
Sot, ndërtimi në Tiranë është bërë i paaksesueshëm për shtresën e mesme, për të rinjtë dhe për qytetarët që fatkeqësisht po largohen nga vendi.
Apartamente që kushtojnë 300 apo 400 mijë euro në një ekonomi ku paga mesatare është rreth 800 euro janë jashtë çdo realiteti dhe logjike ekonomike.
Së dyti, bujqësia.
Një sektor që sot, fatkeqësisht, po humbet aftësinë për të prodhuar dhe për të konkurruar në tregjet rajonale dhe europiane.
Produktet shqiptare, që dikur përfaqësonin një avantazh konkurrues, po përballen me vështirësi të mëdha. Kjo situatë i kushton ekonomisë shqiptare rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe prek drejtpërdrejt mbi 300 mijë fermerë.
Së treti, fasoneria.
Një sektor që deri dje ishte krenaria e eksporteve shqiptare.
Zhvlerësimi i euros dhe deformimet në ekonomi kanë detyruar shumë sipërmarrje të mbyllen, ndërsa mijëra punonjës kanë humbur vendet e tyre të punës.
Kjo është mënyra se si ekonomia informale, paratë e pista dhe pastrimi i parave të krimit të organizuar prekin drejtpërdrejt xhepin e çdo qytetari shqiptar.
Ky është sistemi që duhet të ndryshojmë.
Ky është sistemi për të cilin sot shumë qytetarë po protestojnë.
Ky është sistemi i pakicës që Rilindja ka instaluar, duke eliminuar garën në ekonomi, duke dëmtuar prodhimin, duke detyruar qytetarët të protestojnë dhe duke lënë fermerët e bizneset pa mbështetje.
Ky është sistemi që sot përbën një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë.
Dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta ndryshojmë këtë model, i cili për 13 vite i ka marrë frymën ekonomisë shqiptare”, tha Jorida Tabaku./ Zoom.al