Aplikacion
Teherani zyrtar ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili akuzoi Iranin për zhvillimin e një lufte hibride kundër Shqipërisë dhe për përfshirje në protestat e qytetarëve kundër projektit të resortit në Zvërnec.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, i ka cilësuar pretendimet e kreut të qeverisë shqiptare si “qesharake”, duke i konsideruar ato një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë përballë qytetarëve.
“Irani po përdoret si justifikim për të shmangur përgjegjësinë përballë popullit shqiptar. Këto akuza janë një model i përsëritur nga qeveri që kërkojnë afrim me regjimin sionist. Në vend që t’u përgjigjen kërkesave legjitime të qytetarëve, autoritetet shqiptare zgjedhin të hedhin akuza qesharake ndaj Iranit”, deklaroi Baghaei.
Sipas tij, qytetarët shqiptarë “janë mjaftueshëm të zgjuar për të mos besuar pretendime të tilla”.
Përplasjet mes Tiranës dhe Teheranit nuk janë të reja. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar që prej vitit 2013, kur Shqipëria pranoi të strehojë mijëra anëtarë të organizatës opozitare iraniane Mujahedin-e Khalq (MEK), në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet iraniane e konsiderojnë MEK-un një organizatë terroriste dhe një nga kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit në Teheran.
Në vitet e fundit, raportet mes Shqipërisë dhe Iranit janë përkeqësuar edhe për shkak të sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, për të cilat Tirana ka akuzuar drejtpërdrejt Teheranin. Në të kaluarën, edhe udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka sulmuar verbalisht Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një “vend të vogël djallëzor”.