zoom

Ide & Blog

Përse trembet Edi Rama nga “2 mijë protestues”? 

Përse trembet Edi Rama nga “2 mijë protestues”? 

Ka një rregull të artë në filozofinë e pushtetit: Sa më shumë shtohen fjalimet, aq më shumë zbehet siguria.  

Nga Zoom.al

Kur shikon Kryeministrin Rama që brenda një paraditeje ka harxhuar kohën të shkruajë katër postime radhazi në Facebook dhe ka regjistruar një ligjëratë 30-minutëshe në podkastin e tij kundër qytetarëve që protestojnë për Zvërnecin, ndërsa një ditë më parë shkruajti një editorial të gjatë drejtuar CNN dhe disa mediave të tjera botërore, paniku është i kuptueshëm. 

Edi Rama nuk po e fsheh dot më shqetësimin as duke thënë se në shesh janë vetëm “2 mijë vetë” apo se as “nëse bëhen 500 mijë” ai nuk ikën nga pushteti, sepse e kanë votuar “mbi 800 mijë vetë”. 

Nëse protestat qytetarë në Tiranë e qytetet më të mëdha të vendit dhe në diasporë nuk do t’ia kishin trazuar pushtetin, ai nuk do të tentonte ta minimizonte lëvizjen me çdo mënyrë. 

Përndryshe, pse gjithë ky mobilizim i tërbuar i makinerisë së tij të propagandës? Pse kaq shumë energjie të shpenzuar dhe hartime për teori konspirative me luftë hibride e armiq të huaj nga Greqia te Irani për një grusht njerëzish?  

Përgjigja ndodhet në hendekun e madh mes asaj që thotë Rama dhe asaj që po ndodh në terren. Sheshi “Skënderbej” apo bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nuk kanë qenë asnjëherë më plot në 13 vitet e fundit. Pikërisht ky masivitet e ka tronditur njeriu më të pushtetshëm në vend, jo vetëm se njerëzit po dalin në rrugë pa ndonjë prapavijë politike, por sepse ata, nëpërmjet parrullave, thirrjeve apo memeve në rrjetet sociale po e nxjerrin zbuluar qeverisjen. 

LEXO EDHE:

Dhe ajo që e tmerron vërtet një pushtet të korruptuar nuk janë thjesht numrat, por pesha e madhe e kauzës që i nxori shqiptaërt në rrugë, pesha e të vërtetës për korrupsionin, vjedhjet, tenderat dhe PPP-të klienteliste, shitjen e bregdetit te arabët, izraelitët apo tek ata të cilët kërkon të blejë influencë për të qëndruar në pushtet, rrënimin e arsimit, shkatërrimin e shëndetësisë, rrëmujën e hipotekave, kaosin e drejtësisë së re. 

Edhe pse flet për “2 mijë protestues”, Rama po përdor të gjithë arsenalin e tij për të sulmuar protestën. Sot në podkast i quajti protestuesit një “turmë biodiverse delirantësh dhe influencuesish që s’paguajnë taksa”. Pastaj kaloi te shantazhi ekonomik, duke deklaruar se kjo zhurmë po dëmton turizmin. Dhe në fund, në letrën e tij në anglisht, ngriti një teori konspirative globale, duke akuzuar mediat ndërkombëtare për “erozion të realitetit“, foli për “luftë hibride, inteligjencë artificiale, llogari anonime dhe madje e krahasoi revoltën qytetare me rilindjen e fashizmit të algoritmeve“.  

Të gjitha këto nuk janë shenjë force. Ato tregojnë se sa i dobët është edhe një autokrat i madh kur përballet me të vërtetën dhe një grup të vendosurish që e mbrojnë atë, sado i vogël qoftë ai. Tregojnë dëshpërimin e një lideri që po humbet kontrollin e një vendi që e ka drejtuar dhe kontrolluar në çdo detaj për 13 vite me radhë. 

Ankthi i kësaj paraditje tregoi se Rama po pranon padashje se mesazhi i protestës ka hyrë thellë në zyrën e tij, duke kapërcyer mbi arrogancën, duke çarë shurdhërinë e pushtetit edhe zhurmën e propagandës. 

Postime të lidhura