Aplikacion
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka shkaktuar reagime me një deklaratë të bërë gjatë debatit për projektin turistik në Zvërnec dhe gjendjen e biodiversitetit në zonën e Lagunës së Nartës.
Duke mbrojtur investimin dhe politikat e ndjekura ndër vite për mbrojtjen e mjedisit, Ismaili u shpreh se para vitit 2012 në lagunë nuk kishte flamingo, ndërsa sipas saj, rikuperimi i ekosistemit dhe shtimi i numrit të shpendëve janë rezultat i nismave të ndërmarra gjatë viteve të fundit.
“Ambientalistët që kjo laguna që ne flasim sot dhe jemi duke kërkuar që mos të vrasë qeveria këto flamingot dhe pelikanët, kokërr flamingo s’kishte në atë kohë. Janë dashur 12 vite nisma që ne të arrijmë në atë diversitet që është sot”, deklaroi ministrja.
Deklarata është komentuar gjerësisht në rrjetet sociale, ku shumica shprehen të keqardhur për prezencën e Ismailit në kabinetin qeveritar.
Mes tyre ishte edhe deputeti Erald Kapri, i cili reagoi përmes një postimi në Facebook.
“Të vesh duart në kokë!. ‘Asnjë kokërr flamingo s’kishte në Lagunë para 2012-ës!’ Flamingot i solli qeveria e Ramës! Të mendosh që zonja është ministre dhe deputete!”, shkroi Kapri.