Aplikacion
Prestigjiozja amerikane Forbes i ka kushtuar një artikull protestave kundër projekteve turistike të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në vendin tonë, duke renditur një sërë arsyesh që, sipas revistës, kanë vënë investimin në qendër të polemikave brenda dhe jashtë vendit.
Në artikullin me titull “Why Jared Kushner And Ivanka Trump’s Albanian Resort Plans Are Under Fire” (Pse planet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump për resortin në Shqipëri janë nën zjarrin e kritikave), Forbes ndalet te kundërshtimet e ambientalistëve dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët argumentojnë se projektet e parashikuara në Ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit mund të cenojnë ekosisteme të mbrojtura dhe habitate të rëndësishme natyrore.
“Ndërkohë, Kushner po përballet më gjerësisht me një vëmendje dhe shqyrtim në rritje për përdorimin e fondit të tij të investimeve private, Affinity Partners, në bashkëpunime me qeveri të huaja gjatë mandatit të dytë presidencial të vjehrrit të tij.”
Revista amerikane kujton se mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protesta kundër projektit, ndërsa shqetësimet lidhen me ndikimin që zhvillimet turistike mund të kenë në biodiversitetin e zonës, e cila konsiderohet një nga pjesët më të paprekura të bregdetit shqiptar.
Forbes përmend gjithashtu hetimet e nisura nga autoritetet shqiptare lidhur me ndryshimet ligjore që mundësuan zhvillimin e investimeve strategjike në zona të mbrojtura, duke theksuar se këto procedura janë bërë objekt debatesh politike dhe ligjore.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e medias amerikane janë deklaratat e Ivanka Trump për projektin, të cilat kanë nxitur reagime dhe kritika nga kundërshtarët e investimit.
“Trump tregoi se ajo dhe Kushner mbetën të “mahnitur” nga ishulli që në vizitën e tyre të parë. Duke folur në podcastin e David Senra, ajo e përshkroi projektin si “kulmin e gjithë përvojës sime në pasuritë e paluajtshme, të gjithë udhëtimeve të mia dhe të shumë reflektimeve mbi mënyrën se si dua të jetoj, si mendoj se njerëzit po duan gjithnjë e më shumë të jetojnë, duke u përpjekur të ndërtojmë diçka që është një shfaqje konkrete e kësaj ideje”.
Komentet e saj kanë ngjallur tallje dhe kritika nga kundërshtarët e presidentit amerikan. Moderatori i emisionit “The Daily Show”, Michael Kosta, e kritikoi Trump duke e cilësuar si “të shkëputur nga realiteti”, ndërsa ironizoi: “Dhe për ata që po mendojnë se, para se të blejnë një ishull privat, miliarderët ndoshta duhet të kuptojnë atmosferën dhe shqetësimet e njerëzve, ajo që nuk kuptoni është se ishulli ende nuk ka dhoma.””- shkruhet në artikull.
Megjithatë, sipas Forbes, qeveria shqiptare ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai do të sjellë zhvillim ekonomik, vende pune dhe rritje të turizmit elitar në vend. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria duhet të mbetet e hapur ndaj investimeve të huaja dhe se projekti përfaqëson një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e sektorit turistik.
“KUSH TJETËR ËSHTË I PËRFSHIRË?
Pothuajse i gjithë financimi pas fondit të Kushner, Affinity Partners, vjen nga jashtë, sipas raportimeve të mëparshme të The New York Times—kryesisht nga Lindja e Mesme, ku fondet sovrane të pasurisë së Arabisë Saudite, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe kanë mbështetur këtë fond investimesh.
Kushner i ka thënë The Guardian se është futur në investimet në Shqipëri përmes Richard Grenell, i dërguari special i Donald Trump, ndërsa The Guardian raportoi në vitin 2025 se Grenell po vepronte si një lloj “ndërmjetësi biznesi” për Affinity në rajon.
Të dy kanë punuar gjithashtu me biznesmenin shqiptar Shefqet Kastrati dhe djalin e tij, Musa Kastrati, deri në vitin 2024, sipas The New York Times. Raportime të tjera sugjerojnë se grupet e zhvillimit të lidhura me projektin e Zvërnecit përfshijnë edhe investitorë të tjerë, mes tyre sipërmarrësit nga Katari Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat.“
Debati rreth investimit është shndërruar në një çështje që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ka hapur diskutime mbi balancën mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit në Shqipëri.
Një projekt i ngjashëm në Serbi
Polemikat në Shqipëri vijnë pasi Kushner kishte planifikuar më parë edhe një zhvillim të markës Trump në Belgrade.
Ai u tërhoq nga projekti në fund të vitit 2025, pasi katër zyrtarë të lartë serbë u akuzuan për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në lidhje me projektin. Autoritetet i kanë mohuar akuzat.
Pasuria e Kushner
Sipas revistës Forbes, pasuria neto e Jared Kushner vlerësohet rreth 1 miliard dollarë. Zoom.al/