Aplikacion
Nga The Economist – Përgatiti në shqip Zoom.al
Ishulli kroat i Krk-ut është i varfër me zanore, por i pasur me plazhe të mrekullueshme. Duke fluturuar drejt aeroportit të ishullit, pushuesit mund të vënë re diçka që duket si një anije e ankoruar. Në fakt, bëhet fjalë për një terminal lundrues të gazit natyror të lëngshëm (LNG). Që nga përfundimi i tij në vitin 2021, ai është kthyer në një nyje vendimtare evropiane për importimin e LNG-së, kryesisht por jo tërësisht nga Amerika.
Ai është gjithashtu pjesë e arsyes pse qëllimet amerikane dhe evropiane në rajon, të cilat për dekada me radhë ishin të rreshtuara krah njëra-tjetrës, po bien gjithnjë e më shumë ndesh. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, politikat “Amerika e Parë” (America First) po fillojnë të fshijnë përpara BE-në.
Mosmarrëveshja u shfaq qartë në një takim në prill në Dubrovnik, një tjetër vendpushim plazhi kroat, të anëtarëve të BE-së nga rajonet e Adriatikut, Baltikut dhe Detit të Zi. Amerika u përfaqësua në samitin e Iniciativës së Tri Deteve nga Chris Wright, sekretari i saj i energjisë. Z. Wright trumbetoi një “Kornizë të Tubacioneve të Paqes Trump”, e cila, siç tha ai, do t’i lejonte Evropës Qendrore dhe Lindore të zëvendësonte varësinë e saj të mbetur nga gazi i Rusisë me atë të Amerikës.
Kroacia nënshkroi një marrëveshje në samit për të lidhur Krk-un me Bosnjën, e cila tani e merr të gjithë gazin e saj nga Rusia. Gjithashtu në prill, një kompani amerikane nënshkroi një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh për të furnizuar Shqipërinë me LNG.
E gjithë kjo është dëshmi se Amerika synon të bëjë më shumë sesa thjesht t’u japë fund importeve ruse të energjisë në Evropë. Ajo po kërkon, siç thoshte Strategjia e Sigurisë Kombëtare e nëntorit 2025, të rikthejë “dominimin energjetik”, të “projektojë fuqi” dhe të zmbrapsë ato që ajo i sheh si politika të dëmshme klimatike evropiane që “kërcënojnë Shtetet e Bashkuara”.
Vendet e Ballkanit Perëndimor aktualisht përdorin pak gaz, dhe BE-ja dëshiron që përfundimisht ta fshijë gradualisht përdorimin e këtij karburanti. Evropianët frikësohen se zëvendësimi i gazit rus me atë amerikan do të minojë tranzicionin e këtyre vendeve drejt energjisë së rinovueshme dhe do ta bëjë të vështirë për to përafrimin e legjislacionit të tyre të energjisë me atë të BE-së, anëtarësimin në të cilën ato e kërkojnë.
Shtytja amerikane ka të ngjarë të sjellë përfitime për bashkëpunëtorët politikë dhe të biznesit të Donald Trump-it, të cilët ndoshta do të fitojnë kontrata të infrastrukturës dhe shërbimeve, thotë Ivan Brodic, redaktor i Energypress, një sajt kroat i lajmeve mbi energjinë.
Ndërlidhësi i gazit që lidh Bosnjën dhe Kroacinë, për shembull, ishte diskutuar prej vitesh. Por politikanët e vendit, të ndarë në vija etnike mes boshnjakëve (myslimanëve), kroatëve dhe serbëve, nuk kishin arritur kurrë të merreshin vesh për të. Megjithatë, në prill, boshnjakët papritmas ndryshuan një ligj dhe emëruan një kompani në pronësi amerikane, pa asnjë përvojë të mëparshme në gaz apo tubacione, si investitorin kryesor në projekt.
Drejtorët e kompanisë përfshijnë një ish-avokat të z. Trump dhe vëllanë e Michael Flynn-it, ish-këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare.
Z. Flynn është lobist për Milorad Dodikun, udhëheqësin de facto pro-rus të gjysmës serbe të Bosnjës. Z. Dodik tashmë po përfiton nga ndërhyrjet e administratës Trump. Në maj, Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë (një mbikëqyrës ndërkombëtar i krijuar sipas marrëveshjes së paqes të vitit 1995 që i dha fund luftës civile në vend), tha se po jepte dorëheqjen, nën presionin amerikan.
Ai kishte kundërshtuar dhënien e kontratës së gazit pa tender, gjë që bie ndesh me rregullat e BE-së. Z. Schmidt ishte përplasur prej kohësh me z. Dodik. Politika amerikane në Bosnjë, thotë Adi Cerimagic, një analist, tani “udhëhiqet nga këta investitorë dhe nga këto investime”.
Rëndësia e investimeve energjetike për politikën amerikane shtrihet në të gjithë rajonet. Gazprom, kompania shtetërore ruse e gazit, ka mbajtur prej kohësh një pjesë kontrolluese në NIS, kompania më e madhe e naftës dhe gazit në Serbi. Por sanksionet amerikane ndaj Rusisë po e detyrojnë atë t’i shesë aksionet e saj kompanisë MOL, një firmë shtetërore hungareze e energjisë.
Z. Brodic pret që Amerika t’i bëjë presion Serbisë për të blerë LNG amerikan. Dhe interesi i Amerikës shkon përtej gazit. Këtë muaj qeveria e Serbisë shpalli një thirrje për propozime për një hidrocentral të ri; vetëm kompanitë amerikane, specifikoi ajo, mund të aplikonin.
Edhe Maqedonia e Veriut ishte më parë e varur nga gazi rus. Në shkurt ajo nënshkroi një marrëveshje ku zotohej të blinte LNG amerikan.
Edhe Kosova e vogël është në shënjestrën e Amerikës. Ajo nuk ka asnjë tubacion që e lidh me rrjetet e gazit të rajonit. Në vitin 2021, Albin Kurti, kryeministri i saj, pezulloi një projekt për të lidhur vendin me Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, pak para zgjedhjeve të Kosovës më 7 qershor, i ngarkuari me punë i Amerikës në vend i bëri thirrje asaj të ringjallte atë projekt, duke paralajmëruar se përndryshe rrezikonte të ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor “pa qasje në LNG-në amerikane”.
Kjo u pa gjerësisht si një thirrje për të votuar kundër z. Kurti. Ai fitoi, por gjithsesi mund të ecë përpara me tubacionin. Mesazhi nga Amerika është i qartë: nëse doni të mbani mbështetjen tonë, injoroni evropianët dhe blini gazin tonë.
Aty ku LNG-ja amerikane i ndihmon vendet e Ballkanit të ndalojnë blerjen e gazit rus, BE-ja e mirëpret atë. Problemi për evropianët është përdorimi i shtrëngimit (detyrimit) dhe premtimi i përfitimeve për klientelistët (shokët e pushtetit) si në anën amerikane ashtu edhe në atë ballkanike për të shtyrë marrëveshjet përpara.
Ata gjithashtu deplorojnë (dënojnë) mundësinë që vendet e Evropës Jugore me bollëk potenciali diellor, të erës dhe hidroenergjisë, në vend të kësaj mund të shtyhen të përdorin gazin amerikan.
Evropianët, me rregulloret e tyre të qeverisjes së mirë dhe objektivat e gjelbra, e kanë të vështirë të konkurrojnë me firmat që u ofrojnë përfitime personale pushtetarëve ballkanikë që nënshkruajnë marrëveshje gazi. Por në një botë ku rregullat po ia lënë vendin fuqisë, atyre mund t’u duhet të gjejnë se si t’i përgjigjen ofertës së Amerikës.