Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot protestat që po zhvillohen kundër projektit të investimit në Zvërnec, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të mediave europiane.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i qeverisë tha se kishte shprehur gatishmërinë për të diskutuar me kundërshtarët e projektit, por sipas tij, kjo ofertë nuk është pranuar nga protestuesit, të cilët kanë kërkuar largimin e tij nga detyra.
Rama theksoi se procesi i investimit po ndiqet sipas procedurave dhe standardeve të përcaktuara, duke nënvizuar se investitorëve u janë vendosur kushte të qarta për mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e karakteristikave të veçanta të zonës.
Ai deklaroi se në fillim i kishte konsideruar shqetësimet si debat që lidhej me çështjet mjedisore, por më vonë kishte krijuar bindjen se protesta kishte marrë një karakter më të gjerë politik. Për këtë arsye, Rama tha se kishte hequr dorë nga përpjekjet për të zhvilluar diskutime të mëtejshme me organizatorët.
Kryeministri nënvizoi se mbetet i hapur për çdo debat që mbështetet mbi fakte dhe argumente konkrete, duke shtuar se çdo projekt i rëndësishëm duhet të vlerësohet mbi bazën e dokumenteve dhe standardeve ligjore, jo mbi perceptime apo qëndrime politike.
“Çdokush që ka një pronë private ka të drejtë të vendosë një gardh. Kur ka një proces të tillë, kemi protokolle që vërtetojnë të kundërtën, që ky vend funksionon si vend europian.
Kemi protokolle që vërtetojnë me shkrim që investuesve u janë thënë për cënueshmërinë e zonës, parametrat e për të tjera gjëra….
Çfarë mendoni? Si ta gjejë dikush mënyrën që ta bëjë të vërtetën të shihet dhe të dëgjohet.
Unë e thashë ditën e parë dhe të dytë pastaj hoqa dorë se e pashë që s’kishte të bënte me mjedisin por me një ndjenjë që ‘është koha jonë të marrim kontroll’.
E thashë që kush do të flasë është i mirëpritur për projektin. Përgjigja ishte ‘jo, ne nuk flasim, ne nuk dëgjojmë, ti duhet të japësh dorëheqje’”, tha Rama./ Zoom.al