zoom

Lajme

Resorti turistik në Zvërnec, Rama: Nuk ndërtohet për të pasurit dhe punonjësit nga Bangladeshi

Resorti turistik në Zvërnec, Rama: Nuk ndërtohet për të pasurit dhe punonjësit nga Bangladeshi

Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar pretendimet se zhvillimi i resorteve turistike në Shqipëri nga investitorë të huaj po ndërtohen për të pasurit ose se po mbështeten te punonjës nga Filipinet dhe Bangladeshi për shkak të kostove më të ulëta të punës.

Gjatë konferencës së 3-të kombëtare për arsimin dhe formimin profesional kryeministri Edi Rama tha se këto ide nuk kanë lidhje me realitetin dhe theksoi se interesi i investitorëve të huaj për turizmin shqiptar është një fenomen relativisht i ri, i lidhur me suksesin që ka njohur sektori vitet e fundit.

Rama theksoi se të reagosh ndaj këtyre investimeve që prioritet kanë edhe mbrojtjen e mjedisit, është si alarmi i dikurshëm për importin e mbetjeve, një qasje që nuk niset nga faktet dhe studimet, por nga një frikë që nuk është në përputhje me zhvillimin.

“Ideja që resortet janë për të pasurit ose për punonjësit nga Filipinet e Bangladeshi, sepse paguhen më pak, është një ide që nuk ka lidhje me realitetin.

Së pari, nuk kemi një numër të lartë investitorësh në turizëm. Vetëm së fundmi ka nisur një interesim, i cili lidhet me suksesin e turizmit. Më parë kishte pothuajse zero interes. Shqipëria dhe natyra shqiptare ishin po aq të bukura sa janë sot, por nuk kishte interes për të investuar.

Interesimi i parë që u materializua ishte ai për Portin e Durrësit. Pas tij nisi edhe interesi për të investuar në turizëm në Shqipëri, sepse më parë nuk kishte besim.

Asnjëherë sipërmarrja private e huaj nuk ka ndikuar në shkatërrimin e mjedisit. Dëmet mjedisore kanë ardhur kryesisht nga investimet e kapitalit vendas, në një kohë kur njohuritë në fushë, kostot e ndërtimit dhe fuqia blerëse ishin të kufizuara.

Po të shohim sot bregdetin shqiptar, zhvillimi ka nisur në Golem. Sot është e paimagjinueshme që një sipërmarrës vendas të paraqitet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë një zhvillim të tillë si dikur, sepse ajo ishte një kohë kur kapitali, dijet dhe aftësia blerëse ishin shumë më të kufizuara.

Pavarësisht problematikave dhe mangësive që ka pasur zhvillimi i ndërtimit në turizëm, gjërat janë përmirësuar. Kostot e ndërtimit janë rritur dhe po ashtu janë rritur edhe çmimet.

Nuk ka në Shqipëri investime hotelerie ku paga e punonjësve të jetë më e ulët sesa në Greqi apo në Kroaci.

Cili është problemi? Ata që nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj, duke pretenduar se ata vijnë këtu si skllevër, janë pikërisht ata që nuk duan të pranojnë se mund të paguhen paga të ngjashme me ato në Greqi dhe Kroaci.

Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do të jenë pagat.

Sa më i lartë të jetë konsumi i atyre që vijnë për turizëm, aq më të larta do të jenë të ardhurat e shtetit”, pohoi Rama.

Postime të lidhura