zoom

Ide & Blog

Pashë Zotin, Rama!

Pashë Zotin, Rama!

Nga Denisa Skodi

Tirana ka nëntë ditë rresht në këmbë dhe pika (.) është shenja e duhur që i përkon këtij pohimi. Pa dilema dhe pa pikëpyetje. Tirana është në revoltë masive dhe këtu nuk ke më ç’të diskutosh. Teksa e çakërdisur, qeveria shet marrina me iranianë, grekë dhe 2 mijë shqiptarë në shesh, e vërteta ka shpërthyer portat dhe nuk mbulohet më.

Qartazi i dukshëm është fakti se njerëzit duan ta rrëzojnë pushtetin; Edi Rama nuk i rri më për shtat popullit. Çfarë e bën edhe më të pakomprometueshme situatën është rinia që po drejton lëvizjen; një gjeneratë qytetare racionale që pritet të ndryshojë tregun e punës, që identifikon lehtësisht traumat e veta dhe madje i vë në lojë ato, e që nuk ka si të nëpërkëmbet nga një propagandë e lodhur dhe anekdota me “fajin e ka Saliu”. Ata nuk i josh humori intimidues e as atletet e bardha të kryeministrit. Mendojnë si qytetarë të botës, ndërkohë që u kërkohet të jenë të mjerë e periferikë.

Por nuk janë të vetmit. Bashkë me kundërshtarët e pushtetit, në rresht për një janë sot në shesh edhe të zhgënjyerit. Ata që besuan, që i dhanë një shans të dytë, e madje edhe një të tretë, por që sot nuk e mbrojnë dot më as përpara vetes. Kur mendon për ushqim dhe borxhe, e ke të pamundur të shohësh ëndrra pasunarësh, me resorte luksi dhe jahte shumëkatëshe. Doemos do thuash se kryeministri ka shkarë. Me të drejtë.

Është interesante se si politika imiton realitetin; të kujtohet djali që njohe dikur, që përpiqej të kultivonte sjellje parie, vishej guximshëm dhe hiqej kinse karizmatik, por në fund doli të ishte një provincial si të tjerët. Çoç duket se vë pikat mbi i nëpër samite dhe thith e nxjerr ajër Evrope, ama në fund inatin ua nxjerr bikinive të influencereve. Interesante gjithashtu se si mund të lakuriqesh në plazhe nudo në rini dhe të babaxhan-izohesh në pleqëri.

Nuk ka një sinjalizues specifik për të treguar se të ka rënë pushtetit. E kupton kur sheh çfarë të ka mbetur dhe me kë ke mbetur. E kupton kur të duhet të vësh në lëvizje Taulant Ballën, që i është thënë se di t’ia kthejë burrash me komente këtij populli e ta bëjë zap. E kupton edhe kur në fushë futet Zeqineja, prototipi i deputetes gangstere që duhet t’ia kesh frikën, përndryshe të vërsulet në rrjete e të gjen beleja.

Pushteti është i ëmbël, thotë një prej shprehjeve më të vjetra e (ku ta dinim ne) më domethënëset, por deri ku? Edhe sa për 2-3 shitje të tjera të vendit në tavolinë? Edhe për më shumë lekë? Sa më shumë? Kurrë s’është shumë.

Protesta edhe mund të dështojë, s’është çudi e madhe. Ky vend ka parë e ç’ka parë. Çështja është: për kë do të kthehet Rama në zyrë nesër? Për të qeverisur kë? Se jo për gjë, por populli sot po i jep duart!

Postime të lidhura